Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në tërësi projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10416, dt. 7.4.2011 "Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor", të ndryshuar"

  • Postuar më, 12/02/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në tërësi projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10416, dt. 7.4.2011 "Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor", të ndryshuar"

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Dhimitër Kote, nga Drejtoria  e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit te Kuadrit Rregullator znj. Edlira Llango dhe z. Vlash Tirana drejtoria e Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve.

Relatori i këtij projektligji z. Ilir Ndraxhi u shpreh se me anë të këtyre ndryshimeve synohet të arrihet reduktim i barrierave administrative, liberalizim i tregut, përmirësim i mëtejshëm i klimës së biznesit, përcaktimi i rregullave dhe procedurës së marrjes së mostrave, përgatitjes dhe dërgimit të këtyre mostrave për analizë në laboratorin qendror të farave apo laboratorët rajonalë si edhe përcaktimi i rregullave dhe kritereve, që duhet të plotësojë laboratori i referencës dhe laboratorët e autorizuar.

Pas prezantimit të projektligjit nga zëvendësministri z. Kote si edhe komenteve e diskutimeve të ndryshme, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi në votim ku u miratua nen për nen dhe në tërësi.