Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, priti të Ngarkuarin me Punë të Maqedonisë në Tiranë, z. Dancho Markovski

  • Postuar më, 08/02/2019

8 shkurt 2019


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot të Ngarkuarin me Punë të Maqedonisë në Tiranë, z. Dancho Markovski.  Në fokus të bisedës ishin zhvillimet më të fundit në Maqedoni, nënshkrimi nga vendet anëtare të NATO-s të protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake të globit. 

Kryetarti i Kuvendit përgëzoi z. Markovski për arritjen historike e të shumëpritur,  e cila  është  përshëndetur nga të gjitha institucionet shqiptare dhe që është një lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. 

“Maqedonia në NATO është mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare, si suksesi i një vendi fqinj, me të cilin gjendemi gjeografikisht në të njëjtin rajon, por me të cilin ndajmë vizionet e së ardhmes së përbashkët euro-atlantike”, – u shpreh z. Ruçi.

Z. Markovski i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen Kryetarit të Kuvendit për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit të Shqipërisë dhe Republikës së Shqipërisë ndaj vendit të tij. Duke e cilësuar së këto zhvillime i dhanë fund një periudhe pritjeje prej 20 vitesh, përcolli synimin e autoriteteve maqedonase që të arrijnë ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO brenda një periudhe prej 12-mujore. 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u shpreh se gjatë vizitës së tij në Shkup në dhjetor 2018, në takimet me autoritetet më të larta, kishte marrë angazhimin që Shqipëria do të ishte ndër vendet e para që do ratifikonte këtë Protokoll dhe se tashmë qeveria shqiptare e kishte miratuar vendimin, i cili ka arritur në Kuvend dhe do të ratifikohet me procedurë të përshpejtuar.  

“Data e parë e mundshme për këtë ratifikim është seanca e javës së ardhshme, 14 shkurt 2019”,- u shpreh z. Ruçi në takim. 

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit theksoi se, pavarësisht klimës politike ndonjëherë të polarizuar në Shqipëri, të gjitha grupet politike në Kuvend kanë shprehur vullnetin politik pozitiv për ratifikimin e Protokollit për Anëtarësimn e Maqedonisë së Veriut në NATO.