Ruçi: po bëjmë maksimumin që negociatat të çelen në qershor

  • Postuar më, 06/02/2019

Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, kryetari i kuvendit z. Gramoz Ruçi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS z. Taulant Balla u takuan edhe me Ministrin e Shtetit për Çështje të BE, Michael Roth.

Kryetari Ruçi e falenderoi ministrin Roth për mbështetjen e qeverisë gjermane dhe të Kancelares Merkel, në procesin e vendimmarrjes së Vendimit të Këshillit Europian për rekomandimin për çeljen e negociatave në qershor 2019. 

Z. Ruçi i shprehu ministrit Roth mirënjohjen për angazhimin e tij personal, si një zë i fuqishëm në mbështetje të rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit europian.

“Çelja e negociatave të anëtarësimit është beteja kryesore e Kuvendit, qeverisë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët janë unanimisht në mbështetje të këtij proçesi.”, nënvizoi kryetari i kuvendit, duke shprehur bindjen se Gjermania do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj, duke njohur e vlerësuar përparimin e Shqipërisë në arritjen e objektivave për çeljen e negociatave.

Nëpërmjet Ministrit Roth, Kryetari i Kuvendit falenderoi Qeverinë gjermane për vlerësimin se Shqipëria është një garanci për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe se luan një rol thellësisht pozitiv në kontekstin rajonal.

Kryetari Ruçi e informoi ministrin Roth mbi sukseset e reformës në drejtësi dhe të procesit të Vetting-ut. “Parlamenti ka miratuar 20 ligje, pjesë të paketës prej 27 projektligjesh të reformës në drejtësi, si edhe ka në shqyrtim pjesën tjetër të këtyre projektligjeve. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka konstatuar se ky procesi i Vetting-ut është kryer në mënyrë tërësore e profesionale. Me formimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, është hapur rruga për plotësimin dhe krijimin brenda muajve të ardhshëm të institucioneve të qeverisjes së sistemit tëdrejtësisë.”, vuri në dukje kryetari i kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, e informoi bashkëbiseduesin edhe mbi përkushtimin e kuvendit dhe të qeverisë si edhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, ecurinë e reformës zgjedhore dhe përpjekjet e maxhorancës për të ndërtuar një proces bashkëpunues e produktiv me opozitën për kurorëzimin e reformës, si edhe përpjekjet dhe rezultatet në dekurajimin e kërkesave të pabazuara të qytetarëve shqiptarë për azil.


Kryetari i Kuvendit Ruçi i shprehu ministrit Roth vullnetin dhe përkushtimin maksimal të kuvendit, qeverisë dhe institucioneve shqiptare për të punuar dhe merituar plotësisht hapjen e negociatave në qershor 2019.

Nga ana e tij, ministri Roth vlerësoi arritjet e reformës në drejtësi, si një reformë  e sukseshme dhe vlerësoi partneritetin e ngushtë midis të dy vendeve në funksion të procesit të integrimit europian te Shqipërisë. 

z. Roth, gjate takimit me kryetarin e kuvendit te Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, u shpreh se “Qëndrimi i Politikës së Jashtme Gjermane, vazhdon të mbetet mbështetës për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE, duke vënë theksin te realizimi I reformave.

Ministri Roth shprehu gjithashtu keqardhjen për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL