Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi mori pjesë në promovimin e CD-së dhe DVD-së, pjesë të librit “Muza e Parë” të “Artistes së Popullit”, znj. Jorgjia Truja.

  • Postuar më, 15/01/2019

Ministria e Kulturës në bashkëpunim  me Kuvendin e Shqipërisë, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Liceun Artistik, organizuan në mjediset e Kryeministrisë promovimin e CD-së dhe DVD-së, pjesë të librit “Muza e Parë” të “Artistes së Popullit”, znj. Jorgjia Truja, e cila ka kontribute edhe në shumë fusha të tjera të jetës shoqërore, arsimore, por edhe si ish- deputete.

Në këtë aktivitet morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ministria e Kulturës znj. Mirela Kumbaro, Drejtoresha e Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit znj. Zana Çela, Drejtoresha e Liceun Artistik , znj. Valbona Gavelli, artistë, familjarë, kolegë, pedagogë dhe studentë.

Në një atmosferë shumë të ngrohtë, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, falënderoi  të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen dhe organizimin e këtij aktiviteti. Znj. Hysi vlerësoi kontributin e madh të veprës së saj artistike  dhe të jetës politike, shoqërore, emancipimin e gruas kudo në Shqipëri në një sistem shumë të ndryshëm nga ai i sotmi.

Në fjalën  e saj, znj. Hysi u shpreh se për ne gratë e angazhuara  në politikë, artistja e madhe është një frymëzim i brezit të ri të artistëve, jo vetëm në akademi, por edhe në shkollat fillore, në Tiranë dhe  jashtë saj, deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë,  por edhe veprimtarive për të drejtat e grave.

Me rastin e 100- vjetorit të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Hysi tha se artistja do të ketë  një vend  të merituar mes shumë kontribuuesve të mëdhenj në jetën e parlamentarizmit shqiptar.

Ndërsa, Ministria e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cilësoi një mbrëmje kushtuar një njeriu shumë të rëndësishëm të muzikës shqiptare dhe një njeriu shumë të rëndësishëm mes zonjave shqiptare të kulturës.

Këtë botim, tha Kumbaro, Takuina, vajza e saj, e ka kuruar me kaq dashuri dhe që është mënyra më e mirë, më e bukur, më e plotë që mbetet përgjithmonë për të na e risjellë Jorgjie Trujën, vetvetes, familjes, nipit dhe mbesës por edhe breza të tjerë, jo vetëm profesionistëve, por edhe të njerëzve që nuk janë profesionistë të muzikës.

Në mbyllje të këtij eventi, një falënderim erdhi në emër të familjes për mbështetjen dhe realizimin e këtij promovimi, ku CD-të dhe DVD-të janë pjesë plotësuese e librit “Muza e Parë”, botuar disa vite më parë.

Fjala e plotë e Zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi:

Të nderuar pjesëmarrës,

Disa ditë para mbylljes së vitit që lamë pas, u takova me Takuinën,  vajzën e Artistes së Popullit, të artistes që Lasgush Poradeci e ka cilësuar si artistja “zë me  valë të florinjtë”, të sopranos, pedagoges, regjisores, pedagoges së  shumë artistëve të mëdhenj shqiptarë, Jorgjia Truja.

Diskutuam për të organizuar këtë mbrëmje të bukur me miq, bashkëpunëtorë, të afërm për të promovuar  CD dhe DVD, pjesë e librit “Muza e parë”, një botim autobiografik  për Jorgjia Filçe- Truja, që unë pata fatit ta kem si dhuratë nga e bija, Takuina Adami.

Duke pirë kafen së bashku me Takuinën, me padurim shfletova shpejt librin  dhe rastësisht libri  u hap në një faqe ku ndër të tjera  ishte shkruar deputete në disa  legjislatura të Kuvendit Popullor, jo pak, por plot 5 legjislatura nga viti 1950.

Sinqerisht e njihja Artisten e madhe si këngëtare, soprano, mësuese muzike, dirigjente, shpejt në mendjet time më erdhi konkursi ndërkombëtar i zërave lirikë, “Jorgjia Kruja” , sidomos ai i organizuar në kuadër të 100- vjetorit të lindjes, por sinqerisht nuk njihja kontributin e madh  të Artistes së Popullit në  fusha të tjerë të jetës atë politike, shoqërore, emancipimin e gruas kudo në Shqipëri dhe për të drejtat e gruas  në një sistem shumë të ndryshëm nga ai i sotmi.

Për ne gratë e angazhuara  në politikë, artistja e madhe është një frymëzim,  artiste dhe pedagoge, mësuese dhe  edukuese e brezit të rinj të artisteve, jo vetëm në akademi, por edhe në shkollat fillore, në Tiranë dhe  jashtë saj, deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe veprimtarive për të drejtat e grave, brenda dhe jashtë vendit.

Vitin që vjen Kuvendi do të festojë 100 -vjetorin e  tij.  Në këto 100 vite, në periudha të ndryshme kanë kontribuar shumë burra dhe gra, personalitete, deputetë dhe deputete.  Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë  artistë,  njerëz të talentuar dhe që kanë lënë dhe do të lënë emër në fushat  ku kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë, pa dyshim edhe deputetë dhe deputete.

Por ajo që brezi ynë duhet të bëjë, flas për ne, që jemi të angazhuar në politikë, por jo vetëm, duhet të jemi më të vëmendshëm, më të kujdesshëm për të ruajtur mirë në memorien e institucionit dhe të vendit veprat dhe kontributet e gjithë brezave që kanë kontribuar në vendin tonë, sidomos në atë kohë kur Shqipëria ka pasur nevojë për  bijtë e saj.

E pra, takimi me ju e dashura Takuina dhe librat që më dhuruat, ky takim kaq i bukur që ka bërë bashkë njerëz nga fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së tyre, është një kontribut i madh për një personalitet jo vetëm artistik, por edhe shoqëror dhe politik, për një model të gruas aktive në shoqëri që ka kontribuar dhe ka lënë pas pasuri të mëdha dhe modele  frymëzime për të gjithë ne.

Më lejoni  T’ju falenderoj  juve dhe gjithë ata që kanë mbajtur dhe mbajnë lart emrin e Artistes së Madhe Jorgjia Truja jo vetëm mes konkurseve mbarëkombëtare, pullës shqiptare, emërtimit të bukur të rrugëve në kryeqytetit, mes brezave të artistëve që përvojën dhe kulturën e transmetojnë brez pas brezi, por edhe me premtimin tim se  në 100- vjetorit e Kuvendit të Shqipërisë, artistja do të ketë  një vend  të merituar mes shumë kontribuuesve të mëdhenj në jetën e parlamentarizmit shqiptar!

Ju faleminderit për mundësinë që jemi bashkë për gjëra kaq të bukura dhe për njerëz kaq të mirë për vendin dhe shqiptarët!

Faleminderit!