U mblodh Konferenca e Kryetarëve

  • Postuar më, 15/01/2019

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u mblodh Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar dhe vendosur për çështjet e vijimësisë së punimeve të Kuvendit.

Gjatë mbledhjes, referuar rendit të ditës, u diskutua për shqyrtimin e kërkesës së më shumë se ¼ e të gjithë deputetëve të Kuvendit, anëtarë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Lidhur me këtë çështje Konferenca e Kryetarëve ra dakord për ngritjen e këtij komisioni dhe objekti i kërkesës do diskutohet derisa çështja t’i kalojë seancës plenare.

Çështje tjetër e diskutuar gjatë mbledhjes, ishte miratimi i programit të punës së Kuvendit për periudhën 21 janar-1 mars 2019 dhe miratimi i kalendarit 3 javor të punimeve të kuvendit për periudhën 21 janar-8 shkurt 2019.

Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe miratimi i kalendarit të paraqitjes në kuvend të raporteve vjetore të organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj për vitin 2018. Konferenca vendosi që t’i kalojë seancës plenare.