Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit për Buxhetin 2019 dhe miratoi disa ligje të rëndësishme

  • Postuar më, 21/12/2018

21 dhjetor 2018

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit z. Ruçi, Kuvendi rrëzoi tre dekrete të Presidentit të Republikës , miratoi tetë projektligje dhe katër projektvendime.

Në fillim, Kryetari z. Ruçi njoftoi seancën për projektligjet e depozituara në Kuvend nga Këshilli Ministrave.

Mbas një seance maratonë, Kuvendi rrëzoi me 22 vota pro dhe 76 vota kundër dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10997, datë 13.12.2018 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”. Po ashtu, me propozim të kreut të grupit parlamentar të PS-së, z. Balla, Kuvendi me 73 vota pro, votoi futjen në rend të ditës për dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11015, për “Tatimin mbi të ardhurat” dhe e rrëzoi atë me 73 vota kundër. Ndërsa me 71 vota kundër, 3 abstenim dhe 1 pro, rrëzoi dhe dekretin nr. 10929, datë 5.11.2018 “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, të znj.Vitore Tushës.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit "Për një shtesë në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 "Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar".  Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese,  z. Eduart Shalsi, theksoi se heqja e roaming-ut, është një iniciativë e shumëpritur me Kosovën dhe krijon një treg të përbashkët të komunikimit telefonik mes dy vendeve tona. Ky projektligj u miratua me 76 vota pro.

Ndërsa, për projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar, fjalën e mori z. Adnor Shameti, i cili tha ky  ligj ka për qëllim vendosjen e një regjimi të posaçëm të ushtrimit të të drejtave, për një kategori të dënuarish dhe të paraburgosurish, me synim kufizimin e të drejtave të të dënuarve që janë pjesë e krimit të organizuar.

Z. Shameti u shpreh se në aspektin ligjor, projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe me Rregulloren e Kuvendit. Lidhur me projektligjin, z.Shameti tha se  është zhvilluar dhe një tryezë diskutimi me përfaqësues të misionit EURALIUS, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Avokatit të Popullit. Ky projektligj u miratua me 76 vota pro.

Në fjalën e saj, znj. Elona Gjebrea sqaroi se projektligji i ri “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, synon ndryshimin në formë dhe përmbajtje të ligjit aktual pasi gjatë zbatimit në praktikë të tij ka lindur nevoja për shtesa dhe ndryshime thelbësore. “Ky projektligj është i domosdoshëm pasi do të përcaktojë subjektet përfituese të statusit “Dëshmor i Atdheut”, procedurat për shpalljen ose njohjen e tij si dhe të përfitimet që burojnë prej tij”, tha ajo. Ky projektligj u miratua me 76 vota pro.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi,  gjatë diskutimit theksoi  se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar, është një ligj shumë i rëndësishëm, i cili  është pjesë e reformës në drejtësi.

“Noteria është një shërbim publik dhe rritja e  cilësisë së shërbimit për qytetarët, rritja e aksesit në këtë shërbim, dhënia fund e veprimeve abuzive dhe korruptive, e shitjes së pronës së një qytetari më shumë se njëherë, ka qenë boshti kryesor i diskutimeve në Komisionin e Ligjeve  dhe ky projektligj ka marrë dy vjet kohë për tu konsultuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ai është konsultuar gjerësisht me të gjithë noterët e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Ministrinë e Drejtësisë, misionin e  Euralius-it, ekspertët e Dhomës Federale Gjermane të Noterëve, profesorë, akademike.” – u shpreh znj. Hysi.

Ky projektligj u miratua me 76 vota pro.

Në vijim të seancës, znj. Klotilda Bushka vlerësoi se projektligji për ”Kadastrën”, së bashku me projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, përbëjnë një hap të nevojshëm që do të përcaktojë themelin e reformës në çështjet e pronësisë dhe paraqitet si një nismë e mirëmenduar për sa i takon analizës së problematikave dhe funksionimit të institucioneve. Të dy këto nisma ligjore do të sigurojnë lehtësim dhe unfikim të procedurave që lidhen me regjistrimin e titujve të pronësisë me qëllim shmangien e mbivendosjeve dhe problematikave të evidentuar deri më tani nga praktika.

Projektligj për “Kadastrën” u miratua me 76 vota pro.

Ndërsa , z.Pjerin Ndreu u shpreh se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për policinë e shtetit”, të ndryshuar ka si qëllim rritjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë publike.

“Ky projektligj është pjesë e reformës në Policinë e Shtetit, e cila është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave, pasi prioriteti i qeverisë për vitet në vazhdim është rritja e parametrave të rendit e sigurisë publike, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër terrorizmit. Sistemi i pranimit dhe i emërimit, i bazuar në ecurinë në karrierë vetëm në strukturat e Policisë së”, sqaroi z. Ndreu. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro dhe 1 abstenim.

Gjithashtu, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust-it” dhe projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9573, datë 3.7.2006, “Për autoriparimin,shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyretë dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, të  ndryshuar, u miratua me 76 vota pro.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro projektvendim “Për miratimin e strukturës organizative të Institutit të Statistikave”, me 74 pro dhe 1 abstenim projektvendim “Për një shtesë dhe ndryshim në strukturën dhe organikën e Autoritetit e miratoi të Konkurrencës” dhe me 75 vota pro miratoi projektvendim “Për Miratimin e Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik.”

Ndërsa, miratoi dhe projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.”  Kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Ministrave me vendim nr. 711, datë 23.11.2018, për tre anëtarë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, znj. Suela Popa u votua me 59 vota pro 11 kundër dhe 5 abstenim, znj. Edlira Luçi 73 vota pro dhe 2 abstenim, z. Ridvan Bode 60 vota pro 9 kundër dhe 4 abstenim dhe  kandidaturat  e propozuara nga 28 Deputetë të Kuvendit të Republikës, për dy anëtarë të KMBSH,z. Artna Hoxha u votua me 71 vota pro 2 kundër dhe 2 abstenim, znj. Luljeta Minxhozi 73 vota pro dhe 2 abstenim.

Në përfundim, Kuvendi vendosi  shtyrjen për në sesionin e ardhshëm parlamentar projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe projektvendimin “Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Zylyftar Bregu”.

Seanca i mbylli punimet rreth orë 23:40.