Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti sot në seline e Kuvendit të Shqiperisë Shefin e Delegacionit Evropian në Shqipëri, Ambasadorin Luigi Soreca.

  • Postuar më, 19/12/2018

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti sot në seline e Kuvendit të Shqiperisë Shefin e Delegacionit Evropian në Shqipëri, Ambasadorin Luigi Soreca.

Pavarësisht se takimi midis znj. Kodheli dhe ambasadorit Soreca kishte si temë kryesore ecurinë e reformave në vend dhe procesin e hapjes së negociatave qershorin e ardhshëm, biseda fillimisht u fokusua tek protesta e studenteve dhe domosdoshmëria për te gjetur sa më parë nje zgjidhje optimale ndaj kërkesave të tyre dhe situatës së krijuar.

“Çështjet e edukimit nuk janë kompetence e BE, për këtë arsye ne pritem disi gjatë për të reaguar”, u shpreh Ambasadori Soreca. Jemi te mendimit se nga njëra anë të gjithë janë në mbështetje të studentëve dhe nga ana tjetër qeveria është e gatshme për të bashkëbiseduar. Ne këto kushte nevojitet që studentët të zgjedhin nje përfaqësi e cila mund të dialogojë. Ne jemi impresionuar nga zhvillimi i qytetëruar, jo i dhunshëm dhe i pa-instrumentalizuar i protestës. Sfida e tyre tashmë është që të organizohen që të mund të marin edhe mbështetjen e forcave të tjera të shoqërisë civile kombëtare dhe europiane sikurse është shoqata e studentëve europiane e cila është solidarizuar me studentët shqiptarë.

“Ne te gjithë jemi të interesuar për një zgjidhje të kësaj çështje por ndërkohë është e domosdoshme të mos largohet për asnjë çast vëmendja nga përmbushja e detyrave që duhen kryer për hapjen e negociatave me BE-në. Interesi dhe përpjekjet tona te përbashkëta duhet të bëjnë të mundur që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në takimin historik të radhës, i cili është vendimtar jo vetëm per të ardhmen e Shqipërisë në BE, por edhe për rolin dhe vendin e saj gjeostrategjik në rajon.  Vendimi i qershorit është treni që nuk duhet humbur sepse nuk dihet nëse dhe kur do të kalojë përsëri. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë spektin politik shqiptar”, u shpreh Shefi i Delegacionit Evropian në Shqipëri.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, znj. Kodheli bëri një analizë të situatës aktuale politike në Shqipëri.  Ajo e informoi ambasadorin e BE-së për vullnetin e qeverisë dhe mazhorancës për zgjidhjen sa më optimale të kërkesave të studentëve, të cilat kanë marrë një mbështetje tashmë thuajse globale. Ndërkohë ajo theksoi se parlamenti dhe qeveria po punojnë intensivisht dhe maksimalisht për të kryer me rigorozitet e përpikmëri detyrat në të gjitha drejtimet e tjera të reformave. Në këtë kuadër nevojitet që edhe BE të jetë i bindur dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ne i japim, dhe që ka për të gjithë hapja e negociatave.