Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një vizitë pune në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Institutin e Zhvillimit të Arsimit

  • Postuar më, 06/12/2018

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një vizitë pune në Muzeun Historik Kombëtar, ku u prit dhe u shoqërua nga drejtori i këtij muzeu, z. Dorian Koçi. Fillimisht deputetët vizituan pavionin me punime të piktorëve të njohur shqiptarë me portrete të Skënderbeut dhe pamje të kalasë së Krujës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.   

Më pas u vijua me një bisedë, ku, nga ana e drejtorit Koçi, u bë një prezantim i veprimtarisë së institucionet që ai drejton, duke vënë në dukje rrezultatet e arritura në realizimin e programit me rastin e 550 – vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në konferenca të zhvilluara në Tiranë, Prishtinë dhe aktivitete të tjera jashtë vendit.

Drejtori Koçi u ndal dhe në realizmet konkrete të aktiviteteve të ndryshme të Muzeut, si dhe në projektet për të ardhmen.

Nga ana e deputeteve të Komisionit u bënë një sërë pyetjesh në lidhje me numrin e vizitorëve, rritjen e të ardhurave dhe planifikimin e përdorimit të tyre në dobi të muzeut, nevojat për investime në infrastrukturën e tij,  ligjin e ri “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, marrëdhëniet me muzetë homologe me vende të tjera, sfidat për të ardhmen etj.

Po sot, komisioni zhvilloi një vizitë pune dhe në Institutin e Zhvillimit të Arsimit, IZHA, ku u prit nga drejtori i këtij instituti, z. Gerti Janaqi dhe stafi i tij.

Drejtori Janaqi fillimisht bëri një historik të shkurtër të institucinit, i cili e ka fillesën që në vitin 1965, duke vijuar me shpjegimin e misionit të IZHA –së, që është ofrimi Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucioneve arsimore të të gjitha niveleve ekspertizë dhe këshillim me nivel të lartë profesional, mbështetur në rezultatet e punës kërkimore - shkencore - studimore dhe praktikës së arsimit. Më tej u vijua me prezantimin e fushave kryesore të veprimtarisë së IZHA-së: hartimi i kurrikulës kombëtare për moshat 3-18 vjeç, zhvillimi profesional i drejtuesve dhe mësuesve, mbështetja ndaj institucioneve arsimore, kurrikula e formimit të mësuesve në IAL-të, nxitja dhe mbështetja e arsimit gjithëpërfshirës, fuqizimi i përdorimit të TIK në procesin e mësimdhënie-nxënies.

Ndër pikat e diskutuar me anëtarët e komisionit ishin: ristrukturimi në të ardhmen i institucioneve të varësisë, shkrimi i kurrikulës kombëtare, nevojat për zhvillim profesional dhe kualifikim të mësuesve, rritja e mbulimit me mësues të trainuar për nxënësit me nevoja të veçanta, digjitalizimi, shkolla si qendër komunitare etj..