Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi sot në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”

  • Postuar më, 04/12/2018

4 dhjetor 2018


Komisioni për Punën, Çështjes Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e kryetares së komisionit, znj. Elisa Spiropali, shqyrtoi sot në parim nismën ligjore të deputetit Vullnet Sinaj, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”. E pranishme në komision ishte znj. Ardiana Jaku, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Z. Sina, nismëtari i projektligjit, i bëri me dije komisionit se amendimi që paraqiste ai, reflektonte një problematikë të hasur me Bashkinë e Selenicës, në muajt shtator-tetor, lidhur me vonesat dhe problemet e shpërndarjes së ndihmës ekonomike për shkak të mosmbledhjes së këshillit bashkiak.   “Edhe pse ka ndryshuar ligji, kemi përsëri një vartësi të shërbimit social nga këshillat bashkiake, e kjo më detyroi të gjeja ndryshimet në ligj e të vija me propozimet për amendimet e këtij ligji.” Për z. Sinaj, kjo kompetencë e këshillave bashkiake, në reflektim edhe të ndryshimeve të bëra në ligjin e vitit 2016, duhej shfuqizuar për të shmangur përsëritjen e vazhdueshme të problemeve me vonesat e miratimit të shpërndarjes së ndihmës ekonomike.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, znj. Jaku, njoftoi komisionin që ministria ka parashikuar një ndryshim tërësor të ligjit, nisur nga humbja e linjës logjike, ardhur si pasojë e 7 amendimeve të shtrira në kohë mbi ligjin “Për ndihmën ekonomike dhe mbrojtjen shoqërore”, nr. 9355.  “Ne menduam të paraqesim një ligj të ri, ligji për mbrojtjen sociale në Republikën e Shqipërisë. Janë tre programe sociale, që paraqiten në këtë ligj dhe që përshkruhen në këtë kuadër ligjor: programi për ndihmën ekonomike, programi për pagesat e aftësisë së kufizuar dhe shpërblimi për bebet, që është një politike e re e shpallur këtë vit nga kryeministri. E gjithë kjo iniciativë e marrë nga deputeti është reflektuar në nenin 20 të projektligjit të ri”,- u shpreh zëvendësministrja, që premtoi se projektligji i ri do t’i depozitohej Kuvendit brenda vitit 2018.

Komisioni dha pëlqimin për ndryshimin e propozuar nga z. Sinaj, por mori gjithashtu vendimin për të mos e votuar ditën e sotme në parim projektligjin. Komisioni vendosi që të priste depozitimin e projektligjit të ri nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në Kuvendin e Shqipërisë, për të gjykuar në një moment të dytë shkallën e reflektimit të propozimit të z. Sinaj në projektligjin e ri.