Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi seancë dëgjimore me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, lidhur me shqyrtimin e projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019"

  • Postuar më, 08/11/2018

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi një seancë dëgjimore me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, lidhur me shqyrtimin e projektligjin "Për Buxhetin e vitit 2019".

I ftuar në paraqitjen për buxhetin e vitit 2019 ishte drejtori i Fondit z. Ermir Omari.

Në paraqitjen e tij për kërkesat mbi buxhetin, z. Omari tha se ky buxhet ndahet në disa komponentë kryesorë ku ne fokus do të financohen projekte me objektiva zhvillimor.

“Në projektet që po zhvillojmë tani dhe që kemi marrë si institucion, unë besoj se ky buxhet do të sjelë një impakt shumë më eficent në zhvillimin ekonomik rajonal për të cilin ne jemi përgjegjës tashmë si institucion.”,- theksoi z. Omari.

Anëtarët e komisionit vijuan me pyetje dhe komente mbi buxhetin e paraqitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Më tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me grupet e interesit të cilët i janë drejtuar komisionit dhe parlamentit për disa dëgjesa konkrete, lidhur me shqyrtimin e projektligjit "Për Buxhetin e vitit 2019" dhe paketën fiskale.

Të ftuar ishin përfaqësues nga FIAA (Shoqata e Investitorëve të Huaj), përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësues nga Shoqata e Transportit Qytetas dhe Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë.

Përfaqësuesit shprehen shqetësimet e tyre lidhur me një sërë çështjesh të cilat si më poshtë lidhen me heqjen e taksave doganore për artikujt që janë lëndë e parë për industrinë prodhuese, ndryshimin e taksës mbi ambalazhet dhe produktet plastike pasi nga kjo taksë përjashtohen shumë produkte ku ndër më të rëndësishmit është granulati plastik, i cili nuk taksohet mbasi konsiderohet “lëndë e parë”.

Çështje të tjera që parashtruan përfaqësuesit e grupeve të interesit ishin disa ndryshime ligjore në ligjin  “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar dhe disa ligje të tjera të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ta.

Më pas, pas paraqitjes së shqetësimeve të tyre, ata parashtruan në komision disa propozime mbi taksat lokale, taksat e përkohshme, procedurat tatimore, ndryshime në taksën e akcizës  për produkte të specifikuara etj.

Anëtarët e komisionit vijuan me pyetje, komente dhe sugjerime sa i përket shqetësimeve dhe propozimeve të grupeve të interesit.