Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi mori pjesë në ceremoninë e diplomimit te studentëve të Fakultetit të Ekonomisë.

  • Postuar më, 07/11/2018

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, organizuar në Pallatin e Kongreseve. Në fjalën  e tij, Kryetari i Kuvendit u përqëndrua në lidhjen më sinergjike midis politikave të zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sistemit të mirëqenies shoqërore. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se modeli i zhvillimit ekonomik duhet të jetë në sinergji me psikologjinë e sjelljen në treg të sipërmarrësve e qytetarëve, se ky model duhet të mbështesë mbrojtjen sociale dhe mirëqenien e qytetarëve dhe se për këtë është e nevojshme të pajtohen disa politika neoliberale që po ndjek qeveria, me mbrojtjen e të dobtëve e të varfërve.




Fjala e Kryetarit të Kuvendit,
z. Gramoz Ruçi, në ceremoninë e diplomimit
në Fakultetin e Ekonomisë të UT
Pallati i Kongreseve.

 





Të dashura ekonomiste dhe ekonomistë të rinj të Shqipërisë,

Të nderuara pedagoge dhe pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë,

Të nderuar prindër,

E nderuar zonja Ministre,

I nderuar zoti Guvernator,

Të nderuar miq,

Rreth dy mijë studentë të Fakultetit të Ekonomisë kurorëzojnë sot përpjekjet dhe mundin e tyre tre, katër dhe pesëvjeçar.

Ceremonia e diplomimit është një ditë feste, jo vetëm për ju, të dashur studentë, jo vetëm për familjet tuaja, por për të gjithë vendin.

Është kurorëzimi i një investimi rinor, prindëror dhe shoqëror.

Ju uroj suksese në rrugëtimin e gjatë të karrierës dhe të jetës.

Gjatë jetës sime kam pasur shumë çaste të paharruara.

Por në këtë mbrëmje të bukur, kujtoj ditën time të parë si mësues.

Asgjë nuk krahasohet me ditën e parë të shkollës. Por asgjë nuk krahasohet as me kurorëzimin e saj.

Kjo ditë është starti i udhëhartës për jetën dhe karrieren tuaj.

Diplomimi juaj është edhe një ditë reflektimi për legjislatorët dhe qeverisësit e Shqipërisë.

Prandaj, me këtë rast kam disa çështje që dëshiroj t’i ndaj me ju:

• Si jemi sjellë me ekonominë e Shqipërisë, me faktorët e prodhimit dhe me burimet ekonomike të vendit?
• A është modeli i zhvillimit në sinergji me psikologjinë e sjelljen individuale në treg të sipërmarrësve e qytetarëve?
• Si e ka mbështetur ky model mbrojtjen sociale dhe mirëqenien e qytetarëve?
• Si duhet të pajtojmë disa politika neoliberale që po ndjek qeveria, me mbrojtjen e të dobtëve e të varfërve?


Rritja e produktivitetit të ekonomisë duhet të jetë objektivi ynë kryesor për zhvillimin.  

Prandaj ju, ekonomistët, me mendjet tuaja të ftohta, na ndihmoni që për ekonominë të debatojmë profesionalisht e jo politikisht, t’i afrohemi shkencës, t’i largohemi populizmit.

Që modeli ynë i zhvillimit të ngushtojë asimetrinë midis rritjes ekonomike dhe punësimit.

Që ligjet dhe politikat tona të gjenerojnë rritje ekonomike, jo vetëm numerike, por gjithëpërfshirëse, inteligjente e të gjelbër.

Që rritja ekonomike, që vitet e fundit arriti nivele të kënaqshme, rreth 4%, “të përkthehet” në mirëqenie për qytetarët.

Reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë Qeveria, si lufta kundër informalitetit, reforma e pensioneve, e tregut të punës, e energjisë, nismat për mbështetjen e bujqësisë etj. kanë prodhuar rezultate inkurajuese.

Por ato mund të kishin qenë më produktive nëse do të kishim thithur kontributin tuaj.

Këtu përgjegjësia është e dyanshme: Qeveria mund tju kishte llogaritur më shumë, por edhe ju duhet të kishit dalë më shumë në “meidanin” e ekonomisë shqiptare.



Unë i kam ndjekur disa prej debateve tuaja publike e mediatike. Por dëshiroj tju jap një këshillë miqësore: Përqëndrohuni më shumë në ekonominë tonë, në ndërmarrjet dhe fermat shqiptare dhe na këshilloni:

• Si të ndihmojmë prodhuesit e vegjël të kooperojnë, të marketojnë prodhimet dhe të dalin në treg;
• Si fermerët, ndërtuesit, punishtet, serrat, baxhot, rrobaqepsitë e Shqipërisë, të prodhojnë më lire, të sjellin produkte cilësore dhe të eksportojnë më shumë;

• Si të orientohemi që të hapim më shumë fabrika dhe më pak koll centra.
Toka bujqesore është ende e fragmentuar, e pakapitalizuar dhe joproduktive, në raport me kapacitetet prodhuese të saj.

Fermat shqiptare janë të vogla dhe me produktivitet të ulët.

Prandaj sot, rreth 400 mijë të vetëpunësuar, shumica në bujqësi, janë jashtë sistemit të mirëqenies. Të gjitha format e përdorura për përfshirjen e tyre në sistem, nuk kanë dhënë rezultat.

Si do të bëjmë? Do t’i lemë ata në vetminë e tyre apo do t’i tërheqim drejt sistemit në rrugë ekonomike dhe adaptive?

Ministria e Bujqësisë ka filluar aplikimin e subvencioneve dhe rezultatet janë premtuese. Shtimi i subvencioneve afatgjata për të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht shndërrimin e tyre në njësi ekonomike dhe hyrjen në fondin e pensioneve, mund të ishte rruga eficente e thithjes së tyre nga sistemi.

Do të dëshiroja që kjo çështje të debatohej midis ekonomistëve, para se t’i sugjerohej qeverisë. Ku më mirë se në Fakultetin e Ekonomisë mund të organizohej ky diskutim?


Siç e dini, para pak ditësh votuam ligjin për mbylljen e lojrave të fatit.

Ky ligj është, padyshim, i drejtë dhe i duhur. Qytetarët e mirëpritën sepse u shërben interesit të tyre dhe interesit publik.

Duhet të jetë e qartë për këdo se mbështetja e shoqërisë në veprimtari kumari nuk garanton as zhvillim ekonomik, as emancipim, as qytetërim. Përkundrazi, mendësia iracionale e lojrave të fatit deformon qasjen shoqërore ndaj ndërtimit e zhvillimit të sistemit ekonomik.

Nëse lëvizim në qytetet tona vërejmë se lojërat e fatit janë shndërruar në pjesë integrale të infrastrukturës urbane. Nuk është kjo trashëgimia urbane që duhet të përcjellim.

Nëse i “strehojmë” pranë qendrave, i kemi pranuar si pjesë e kulturës dhe mentalitetit kombëtar e shoqëror. Ua shpalosim lojërat e fatit të rinjve e qytetarëve si një mundësi legjitime, në vend që peizazhi urban e rural të nxis kulturën e punës, jo pritshmëritë e llotos.