Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratuan në tërësi projektligjin "Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit'', të ndryshuar"

  • Postuar më, 22/10/2018

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratuan në tërësi projektligjin "Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit'', të ndryshuar"

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zhvilluan sot  një mbledhje të përbashkët, për projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9518, datë 18.4.2006 "Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit'', të ndryshuar"

I pranishëm në komision ishte kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave z. Erjon Braçe, propozuesi i kësaj nisme ligjore, si dhe  anëtarë të grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”.

Në fillimit, zëvendëskryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, znj. Elisa Spiropali tha se propozimet e bëra kanë për qëllim parandalimin e pasajove shëndetësore nga konsumi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara, si dhe kufizimin e  marketingun për këto pije.

Në prezantimin e tij, z. Braçe tha se ndryshimet që propozohen sot, në  këtë projektligj janë të lidhura ngushtë me  interesin  publik  dhe të fëmijëve.

“Të  marrurit me pijet energjike ka qenë një fokus i posaçëm gjatë pesë viteve të fundit. Së bashku me kolegët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave menduam që të ngarkonim nga pikëpamja fiskale produktin dhe tregtimin e këtij produkti. Dëshira jonë për të frenuar konsumin e pijeve energjike, nuk pati sukses. Konsumi i pijeve energjike, pavarësish akcizës së vendosur  mbi to, pati një rritje 13-14% të rritjes së volumit të konsumit në vit. Pikërisht, ky projektligj që po prezantoj sot, ka marrë shkak nga ajo iniciative e mëparshme dhe vullneti i të gjithë kolegëve të mi në komision, për ta shtyrë më tej iniciativën me një model të ri që është kufizimi i përdorimit, tregtimit, marketimit të  këtyre pijeve, tek fëmijët”, nënvizoi z. Braçe.


“Të shtohet përkufizimi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar, me qëllim dhënien e një koncepti të saktë për këto lloj pijesh që do të shmang kështu, çdo keqinterpretim të mundshëm të ligjit. Për subjektet që tregtojnë pije energjike të vendoset detyrimi për mbajtjen e tabelave treguese "Ndalohet shitja e pijeve energjike personave nën 18 -vjeç" dhe personi madhor që e shoqëron të miturin të dënohen me gjobë që varion nga l 0 mijë në 30 mijë lek, në varësi të vendit ku ofrohet pija. Reklamimi i pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar të drejtuar të miturve në mjedise si rrugë, parqe, të përbëjë kundërvajtje administrative dhe të dënohet me gjobe që varion nga I 00 mijë në 200 mijë lekë. Në projektligjit janë parashikuar edhe dispozita kalimtare për përcaktimin e institucioneve qe ngarkohen për zbatimin e këtij projektligji si dhe përcaktimin e afateve brenda

të cilave institucionet përgjegjëse do te duhet te miratojnë rregulla të veçanta, në zbatim të

dispozitave të këtij projektligji”, projektligji ka në përmbajtje të tij 14 nene, por këto ishin disa prej tyre të prezantuara nga z. Braçe.

Anëtarët e të dy komisioneve vlerësuan maksimalisht dhe mbështetën nismën ligjore të bërë nga z. Braçe, që mbi çdo interes, qëndron interesi i shëndetit dhe jetës së fëmijës. Ata u shprehën se ky ligj ka nevojë për sensibilizim të të gjithë shoqërisë. 

E pranishme në komision ishte dhe Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, e cila përgëzoi deputetin z. Braçe për këtë nismë, duke thënë ndër të tjera se në Kuvend po i rikthehemi disa nismave, të cilat kanë impakt të gjerë social-ekonomik të publiku.  

Znj. Hysi ndau të njëjtin shqetësim me të gjithë kolegët, lidhur me impaktin që do të ketë projektligji.

“ Ju z. Braçe jeni modeli më i mirë sesi një deputet kontribuon në zbatimin jo vetëm në interesin më të lartë të fëmijëve, por dhe të dy Rezolutave që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, për të nxitur deputetët , për të marrë nismë në mbrojtje të të drejtave dhe shëndetit të fëmijëve, etj”, tha znj. Hysi. 

Një rëndësi të veçantë tha znj. Hysi ka forcimi i  kontrollit parlamentar. “ Pra, kujdes duhet treguar në raportimin e AMA-s, në zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me monitorimin e ligjit dhe te reklamave, lidhur me AKU, shoqatat e Konsumatorëve, biznesit, sikurse dhe Ministria e Shëndetësisë me këtë nismë duhet të fillojë të masë impaktin që do të ketë zbatimi i këtij ligji, në faturën financiare që shpenzohen për insulinat, fëmijët diabetik ”, ishin disa nga sugjerimet e znj. Hysi. 

Në fund, anëtarët e të dy komisioneve  dhanë  sugjerimet e tyre në nene të ndryshime të këtij projektligji, të cilin e votuan nen për nen, parim dhe në tërësi, për t’ia kaluar më tej për shqyrtim seancës plenare.