Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan dëgjesë me përfaqësues të jetës universitare

  • Postuar më, 19/10/2018

19 tetor 2018


Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Këshilli për Legjislacionin dhe komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilluan ditën e sotme një seancë dëgjimore me përfaqësues nga bota akademike. Dëgjesa zhvillohej në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputetëve të opozitës.  Kjo ishte dëgjesa e dytë radhazi, që këshilli dhe komisioni zhvillojnë në vijim të shqyrtimit të projektligjit në fjalë.

Të pranishëm në dëgjesë ishin përfaqësues nga fakulteti i drejtësisë në Universitetin e Tiranës; Universiteti Evropian i Tiranës; Kolegji Universitar "Luarasi"; Universiteti "Marin Barleti"; Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë; Universiteti i New York-ut në Tiranë; Kolegji Universitar “Wisdom” dhe Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisje.

Deputeti i Partisë Demokratike, z. Luçiano Boci, shprehu në fjalën e tij shqetësimin për numrin e ulët të përfaqësuesve të universiteteve, që ishin pjesëmarrës në dëgjesë: “Ka një paragjykim nga shoqëria, sepse është një lloj demonstrimi i një konkluzioni logjik, pasi dihet tashmë që mazhoranca është shprehur që parimisht nuk e pranon vetting-un politik as në formë, as në përmbajtje e as ne ndryshime kushtetuese e ligjore”. Z. Boçi theksoi se Partia Demokratike, përmes kërkesës për ndryshime kushtetuese që mundësojnë vetting-un e politikës, i përgjigjet thirrjes dhe kërkesës së shoqërisë.

“Kuvendi ka procedura strikte sipas Kushtetutës dhe Rregullores së vetë. Jemi duke i zbatuar. Është vlerësim për nismëtarët që komisioni mblidhet në mënyrë periodike, sipas Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës, praktikave më të mira që ka Kuvendi kur bëhen ndryshimet kushtetuese, veç këtyre i jemi drejtuar dhe Komisionit të Venecias. Nuk ka as zvarritje, por nuk duhet të ketë as ngutje në rastin e ndryshimeve kushtetuese”, -ishte përgjigja e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për shqetësimin e ngritur nga z. Boçi.

Në dëgjesë dhanë opinionet dhe sugjerimet e tyre Prof. Asoc. Dr. Kosta Gazeli nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, dekani i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Tiranës; Prof. Dr. Ermir Dobjani, pedagog në fakultetin e drejtësisë së Universitetit të Tiranës; Prof. Dr. Arben Malaj, president nderi në Institutin për Politikat Publike dhe Mirëqeverisje; Dr. Ledina Mandija, përgjegjëse e departamentit të shkencave juridike në Universitetin Evropian të Tiranës; Dr. Elona Bano, pedagoge në Universitetin Marin Barleti; z. Naim Meçalla, dekan në Kolegjin Universitar “Wisdom” dhe  Ma. Erind Merkuri, pedagog në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Znj. Mandija e cilësoi të mundshëm realizimin e ndryshimit të propozuar nga opozita, po njësoj edhe ngritjen e mekanizmave përgjegjës për realizimin e tyre. Ndërsa, z. Gazeli, z. Hoxha, z. Dobjani, z. Malaj, znj. Bano, z. Meçalla dhe z. Merkuri, edhe pse të hapur për idenë, nuk binin dakord me trajtimin në nivel kushtetues të ndryshimeve të propozuara. Thuajse të gjithë pedagogët ngritën vështirësinë e përkufizueshmërisë së nocionit të propozuar në ndryshimet e paraqitura, të “kontakteve të papërshtatshme”. Profesorët shfaqën shqetësimin e tendencës për ndryshime të shpeshta kushtetuese, duke sugjeruar gjetjen e zgjidhjeve alternative përmes ligjeve të posaçme, duke qenë se Kushtetuta vetë i lejon hapësirat për zgjidhje të tilla. Të pranishmit në seancë dëgjimore, sugjerimet e tyre, do t'ia vënë edhe me shkrim në dispozicion këshillit dhe komisionit.