Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu

  • Postuar më, 19/10/2018

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti sot  në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit, Ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

 

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë strategjike, për shkak të lidhjeve historike, bashkëpunimit intensiv politik, partneritetit të ngushtë në NATO, shkëmbimeve të përgjithshme dinamike si edhe pozitës së dy vendeve në rajon. “Bashkëpunimi politik është i shkëlqyer dhe marrëdhëniet janë miqësore. Shkëmbimet e shumta dhe intensive të viteve të fundit po konsolidojnë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin institucional në të gjitha fushat e nivelet”- u shpreh z. Ruçi.  Kryetari i Kuvendit, konfirmoi vullnetin politik të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të identifikuar fusha të reja të bashkëpunimit me interes të ndërsjelltë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare.

 

“Marrëdhëniet ndërparlamentare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë janë shumë të mira. Në kuadrin e veprimtarive shumëpalëshe, delegacionet e përhershme parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë kanë mbështetur kandidaturat turke për pozicione të ndryshme. Mes dy parlamenteve tona janë shkëmbyer vizita dypalëshe në nivel Kryetarësh dhe deputetësh”- theksoi z. Ruçi. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë z. Mevlüt Çavusoglu nënvizuan se forcimi i diplomacisë parlamentare është një instrument i fuqishëm për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë.

 

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi shprehu kënaqësinë që trendi pozitiv dhe në rritje i investimeve turke në Shqipëri po vazhdon, dhe inkurajoi projektet e reja të mëdha të investimeve në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë. Vëllimi i tregtisë është rreth 460 milion $ USD. Është në fuqi Marrëveshja Bilaterale e Tregtisë së Lirë, prej vitit 2008. Investimet turke arrijnë në rreth 2.7 miliard dollarë amerikanë, ndërsa më shumë se 10 mijë shqiptarë janë të punësuar nga kompanitë turke në vend. Linja e parë ajrore Air Albania është shembull i bashkëpunimit efektiv shqiptaro-turk. Shqipëria është në pritje të zbatimit sa më të shpejtë të bashkëpunimit me Turkish Airlines dhe mbështetjes për Aeroportin Civil të Vlorës, të lançuar nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan”- nënvizoi z. Ruçi  

 

Kryetari Ruçi vlerësoi zërin e Turqisë në NATO për  institucionalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Aleancës, si një premisë themelore drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon si edhe kontributin e saj si lobuese e fuqishme në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

 

Ministri z. Çavusoglu vlerësoi lart bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe nënvizoi se është në këtë vizitë për ta intensifikuar këtë bashkëpunim dhe për të përgatitur vizitën e Presidentit të Turqisë Erdogan në Shqipëri.  “Shqipëria është një vend tepër i rëndësishëm, mik, partner dhe aleat i Turqisë. Në bashkëpunimin midis të dy vendeve ka ende rezerva dhe shkëmbimet tregetare mund të dyfishohen. Për këtë ai sugjeroi rishikimin e Marrvëveshjes së Tregëtisë së Lirë midis të dy vendeve. Me Ministrin Bushati u ra dakord për krijimin e Këshillit të Përbashkët Shqiptaro-Turk, për bashkëpunimin ekonomik. Ministri vleresoi gjithashtu solidaritetin e Shqipërisë ndaj zhvillimeve ekonomike e financiare në Turq”- u shpreh Ministri i Jashtëm i Turqisë z. Çavusoglu.

 

Z. Çavusoglu theksoi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Turqisë për kryesimin e OSBE-së në vitin 2020. Turqia punon gjithashtu për rritjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Interpol dhe institucione të tjera ndërkombëtare. 

 

Ministri Çavusoglu vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe shprehu pritshmëritë ndaj Shqipërisë për qëndrimin ndaj organizatës terroriste Feto. Kryetari i Kuvendit Z. Ruçi nënvizoi se Shqipëria e mirëkupton këtë shqetësim të Turqisë dhe organet ligjzbatuese në Shqipëri e kanë në qendër të vëmendjes, duke bashkëpunuar edhe me organet homologe turke. “Shqipëria qëndroi që në çastet e para të tentativës për grusht shteti, në mbështetje të shtetit dhe Qeverisë turke kundër çdo forme dhune e tentative për prishjen e rendit demokratik. Mbetemi të hapur dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë përmes institucioneve përkatëse të të dy vendeve për shqetësime serioze të natyrës së sigurisë”- u shpreh Kryetari i Kuvendit të Sqhipërisë z. Gramoz Ruçi.