Kuvendi u mblodh në seancë plenare

  • Postuar më, 18/10/2018

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë , z. Gramoz Ruçi, u zhvillua seanca e sotme plenare. Kuvendi miratoi buxhetit faktik të vitit 2017, tri projektligje dhe një projektvendim të rëndësishëm.

Në fillim, z. Ruçi bëri me dije seancën se Këshilli Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj, ndërsa nga Presidenti i Republikës është depozituar dekreti për rishqyrtim ligji për Teatrin dhe nga Komisioni Qëndron i Zgjedhjeve është depozituar për herë të dytë kërkesa për plotësimin e vendeve vakante në këtë institucion pasi më 11 tetor u ka mbaruar mandati 4 anëtarëve të këtij institucioni. “Aktualisht KQZ është vetëm me 3 anëtarë, pra pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij. Prandaj, sikurse e kam dërguar edhe zyrtarisht, u bëj thirrje publike kryetarëve të grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e vendeve vakante’, sqaroi kryetari z. Ruçi.

 

Seanca vijoi diskutimet me një pikë të rëndësishme të rendit të ditës, projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2017”, ku në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste deputetja znj. Blerina Gjylameti, nis fjalën duke thënë se kemi sot një situatë ekonomike të kënaqshme, konfirmuar kjo edhe nga tregjet ndërkombëtare. “Ndërkohë që vijmë sot për të diskutuar buxhetin faktit të 2017 me progres të qenësishëm. Është një vit që do të mbahet mend për shkak se qeveria nuk krijoi borxh të ri publik, për më tepër e reduktoi borxhin publik me 2.2 pikë përqindje nga niveli që regjistronte në vitin 2016, përkatësisht nga 72.3% e PBB në 2016 ra në 70.1% në vitin 2017. Objektivat e qeverisë sonë janë që ky borxh deri në fund të 2019-tës të shkojë 65.3%. Pra, objektivat tona janë të qarta, pasi dimë mirë se çfarë kërkojnë qytetarët. Këtë e vërteton edhe përgjigja jonë ndaj shqetësimit të qytetarëve, ku këto ditë ne si mazhorancë ku kemi marrë një nga vendimet më të mëdha, atë për mbylljen e lojërave të fatit, kazinove e pikave të basteve nga zonat e banuara. Është një vendim historik do të thosha për një nga plagët më të mëdha që i ishte hapur prej vitesh shoqërisë tonë. Shumë njerëz na përshëndetën për këtë nismë, por ka nga ata “teoricienë” në krahun tjetër që bëjnë lidhje lloj-lloj mes këtij vendimi dhe të afërmve të mazhorancës. Vetëm 18% e nisën këtë ves midis grupmoshës 16-20 vjeçare. Në grupmoshat e tjera, prevalenca vjen në reduktim konstant. Vetëm 5,3% nisën të luanin midis moshës 21-25 vjeç, vetëm 2% në moshën 26-30 vjeç dhe 6,3% pas kësaj moshe. Vendimi për mbylljen e salloneve të basteve është provuar në shumë prej vendeve të Bashkimit Europian në të shkuarën. Unë jam i bindur që e gjithë Shqipëria do dalë shumë e fituar nga kjo punë”, u shpreh znj. Gjylameti. Ky projektligj u miratua me 74 vota pro.

 

Lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, deputeti i Partisë Socialiste z. Vullnet Sinaj sqaroi se më shumë se sa qytetarët konsumatorë, është e rëndësishme që përmbajtjen e këtij projektligji, ta zbatojnë shitësit, duke bërë të mundur që konsumatorët, të jenë në gjendje të marrin një informacion të përshtatshëm, në vendimmarrjen e tyre për blerjen e produkteve dhe shërbimeve në treg.

“Projektligji, është në përputhje edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi baza ligjore për propozimin e tij dhe miratimin ne Kuvend, është përmbledhur ne Nenin 78 te Kushtetutës. Ky projektligj, bën disa ndryshime në ligjin aktual për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim fuqizimin e konsumatorëve në treg, duke u mundësuar atyre informimin e plotë, për një vendimmarrje të sigurt dhe sa më pranë interesave të tyre”, tha z. Sinaj. Ky projektligj u miratua me 74 vota pro.

Në fjalën e saj, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri - Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016”, znj Ermonela Felaj  theksoi se programi ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë të zonave, si dhe të forcojë më tej bashkëpunimin n ndërmjet dy shteteve.

Prandaj, tha znj. Felaj duhen përzgjedhur  ato projekte që janë të nevojshme, që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e zonave apo rajoneve kufitare.

Sipas znj Felaj, pikat kufitare në vend kanë nevojë në ifrastrukturë dhe logjistikë. 

 “Administrata jonë publike duhet të jetë e nxitur në punën e saj, sikundër dhe llogaria nga ana jonë si parlament duhet të rritet, me qëllim që te negociohet për mundësi financimi sa më konkrete” , tha ajo.

Ky projektligj u miratua me 74 vota pro.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin 2005 të Konventës për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Lundrimit Detar, aderuar me ligjin nr. 8850/2001, dhe Protokollin 2005 të Protokollit për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Platformave Fikse në Shelfin Kontinental, aderuar me ligjin nr. 8850/2001”, u votua me 74 vota pro.


Në fund të seancës, Kuvendi miratoi me 74  vota pro projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit  “Për një shtesë dhe ndryshim  në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, kërkesë e maxhorancës, e cila  u bë gjatë seancës së sotme plenare,  për futjen e këtij projektligjit me procedurë të përshpejtuar.  

Kuvendi mbylli punimet në orën 13:40.