Anëtarë të komisionit parlamentar të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, pritën në takim një delegacion britanik të Programit të Ballkanit Perëndimor

  • Postuar më, 17/10/2018

17 tetor 2018


Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, anëtarët e komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, kryesuar nga kryetari i komisionit z. Ulsi Manja,  znj. Vasilika Hysi, znj. Klotilda Busha, z. Enkelejd Alibeaj, z. Fatmir Mediu, z. Gent Strazimiri, z. Edmond Leka dhe z. Adnor Shameti, pritën në takim një delegacion britanik të Programit të Ballkanit Perëndimor. Të pranishëm në takim ishin z. Robert Chatterton Dickson, drejtor i Përgjithshëm i Programeve për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike dhe kryesues i delegacionit; z. Dawn Mc Ken, drejtor i programeve për Ballkanin Perëndimor; z. Christian Dennys, udhëheqësi i qendrës së përbashkët të programit per konflikt dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor dhe Sean Mealburne, zëvendësambasador i Britanisë së Madhe.

Kryetari i komisionit të ligjeve z. Manja, duke i uruar mirëseardhjen delegacionit britanik, i prezantoi ata me funksionet e komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe të nënkomisioneve në varësinë e tij. “Jemi të hapur për të diskutuar forma të mundshme bashkëpunimi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Britanisë së Madhe. Mendoj që Komisioni i Ligjeve është vendi i duhur për të shtrirë sferën e bashkëpunimit, pasi mendoj që bashkëpunimi në nivel parlamentar është shumë i rëndësishëm. Ne si komision kemi nevojë për ekspertizë. I vlerësoj përpjekjet e ambasadës së Britanisë për të na ofruar ekspertizë ligjore”, - u shpreh z. Manja.    

Z. Chatterton Dickson, në nisje të fjalës së tij, vuri theksin te rëndësia që ka për Mbretërinë e Bashkuar siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Zgjerimin e fondeve dhe programeve të Ballkanit Perëndimor ai e lidhi me angazhimet e marra në kuadër të Samitit të Londrës, pjesë e procesit të Berlinit, që një ndër angazhimet kryesore ka integrimin euroatlantik të Shqipërisë. “Siç e dini ka edhe një udhërrëfyes të proceseve të integrimit nga ana e Komisionit Evropian. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë si pjesë e saj. Ne jemi shumë të kënaqur që si pjesë e mbështetjes sonë punojmë me institucionet kryesore në Shqipëri, përfshirë edhe parlamentin, për realizimin e objektivave”, - u shpreh z. Chatterton Dickson, që u tregua i gatshëm për koordinim mes palësh për përmbushjen e angazhimeve dhe objektivave të përbashkët, që Shqipëria të jetë një anëtar i sigurt i BE-së.

Në takim, deputetët e komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ndanë pikëpamjet e tyre me delegacionin britanik, për një sërë çështjesh me interes për takimin, që lidheshin kryesisht me sfidat e parlamentarizmit dhe situatën politike në vend dhe rajon.