Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi priti një Delegacion të parlamentarëve Çekë

  • Postuar më, 17/10/2018


Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, priti një Delegacion të parlamentarëve Çekë

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi priti delegacionin e Komisionit të Bujqësisë të Parlamentit Çek, i kryesuar nga z. Jaroslav Faltýnek, Kryetar i Komisionit të Bujqësisë.

Gjatë takimit znj. Hysi vlerësoi  marrëdhëniet dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes dy parlamenteve, mbështetjen që Qeveria Çeke ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me rëndësi si  bujqësia, turizmi etj. 

Gjithashtu u diskutua rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve si edhe mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave të dy komisioneve respektive që mbulojnë fushën e bujqësisë, si edhe lidhur me përgatitjen  për hapjen e negociatave  në fusha që mbulohen nga komisionet përkatëse. Krahas nevojës së shkëmbimit të eksperiencave u cilësua e dobishme edhe bashkëpunimi   me komisionet e përhershme parlamentare të tjerë.

Znj. Hysi vlerësoi rritjen e turistëve çekë në Shqipëri, por edhe kontributin e tyre në promovimin e turizmit duke nënvizuar nevojën e forcimit të këtij bashkëpunimi, rritjen e shkëmbimeve dhe investimeve çeke në sektorin e bujqësisë, të turizmit, forcimin e bashkëpunimit mes  bizneseve shqiptare dhe atyre çeke.

Forcimi i bashkëpunimit në fusha me interes, që ndikojnë në  fuqizimin e ekonomik dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte çështja e diskutuar  në takim. Sa i përket kësaj çështje, z. Jaroslav Faltýnek u shpreh se parlamentarët çekë janë të gatshëm për mbështetje, duke siguruar kështu edhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Me tej, delegacioni Çek nga ana e tij vlerësoi marrëdhëniet Çeki-Shqipëri dhe u tregua i gatshëm ku në cilësinë e komisionit të Bujqësisë, në promovimin e produkteve shqiptare në fushën e bujqësisë, në nxitjen e mbështetjes me mekanizma bujqësore, forcimin e sektorit të bujqësisë dhe mbështetjen e nismave të fermerëve shqiptarë me qëllim që ata të jenë të përgatitur për të konkuruar me fermerët e vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, anëtarët e delegacionit ofruan mbështetje për bizneset shqiptare që të ekspozohen në ekspozitat Çeke.

Sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë në vitin 2019, delegacioni Çek u tregua i gatshëm për mbështetje në gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.