Mblidhet Këshilli i Legjislacionit, seancë dëgjimore me shoqërinë civile

  • Postuar më, 12/10/2018

Në drejtimin e kryetarit të kuvendit z. Gramoz Ruçi, këshilli i Legjislacionit dhe komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut organizuan një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfaqësues të organizatave “Think Tank” të shoqërisë civile, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në fushën e monitorimit të proceseve zgjedhore,  për konsultimin e nismës ligjore të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e  Republikës së Shqipërisë”.

Të ftuarit që morën pjesë në këtë seancë dëgjimore ishin përfaqësues nga Koalicioni i Vëzhgueseve Vendorë, Instituti i Studimeve Politike, CRCA Albania, Shoqata “Avokatët Penalistë të Shqipërisë”, Shërbimi Ligjor Falas dhe Qendra “Gratë në Shërbim Publik”.

Qëllimi i kësaj seance dëgjimore ishte shqyrtimi i amendamenteve kushtetuese për vettingun që përfshin vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Përfaqësuesi i opozitës, deputeti Enkelejd Alibeaj prezantoi projektligjin e ndryshimeve kushtetuese të opozitës parlamentare, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e  Republikës së Shqipërisë”.

Pas prezantimit të z. Alibeaj, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhanë idetë e tyre mbi këtë çështje të cilët sollën në vëmendje disa pika specifike të këtij projektligji.