Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti Sekretarin e Shtetit të Hungarisë për Sigurinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregëtisë, z. Péter Sztáray

  • Postuar më, 10/10/2018

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti Sekretarin e Shtetit të Hungarisë për Sigurinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregëtisë, z. Péter Sztáray

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli priti në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, Sekretarin e Shtetit të Hungarisë për Sigurinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregëtise, z. Péter Sztáray.  

Zonja Kodheli pasi i uroi Sekretarit të Shtetit Hungarez mirseardhjen përmendi historinë dhe luftën e përbashkët të dy popujve tanë për liri dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta europiane. Ne duhet dhe do të vazhdojme të qëndrojmë përkrah njeri-tjetrit si vende europiane dhe partnere në NATO për përballimin e sfidave dhe garantimin e sigurisë sonë të përbashkët, u shpreh ajo.

Zoti Sztáray falenderoi për mikpritjen dhe u shpreh se kjo ishte vizita e tij e parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka një status të veçantë në rajon jo vetëm si vend anëtar i NATO-s por edhe për orientimin e saj të qartë perëndimor, në një moment kur e ardhmja e vendeve të ndryshme të këtij rajoni është ende në diskutim. Për këtë arsye, Hungaria mendon se hyrja e Shqipërisë në BE është e nevojshme. Ajo mbështet shumë fort dhe në mënyre aktive hapjen sa më parë të negociatave midis Shqipërisë dhe BE, u shpreh Sekretari i Shtetit Hungarez.

Më tej bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi çështje të ndryshme të situatës në rajon, balancave gjeostrategjike dhe sigurisë së përbashkët europiane, migracionit dhe refugjatëve nga vendet në konflikt, duke theksuar nevojën e përqasjes së kujdeshme të problemeve sipas natyrës së tyre të vërtetë.

Bashkëbiseduesit folën gjithashtu mbi bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe zhvillimin e vazhdueshëm të tij në të gjitha fushat.

Në përfundim të takimit Sekretari i Shtetit, z. Sztáray u shpreh se një vizitë e zonjës Kodheli në Budapest do të ishte me mjaft interes për shkëmbimin e mendimeve me kolegët hungarezë dhe forcimin e marrëdhënieve parlamentare midis dy vendeve.