Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”.

  • Postuar më, 11/09/2018

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”.



I pranishëm në komision ishte Ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se kemi harxhuar 178 milion dollarë për këtë kategori.


“Përsa i përket këstit të nëntë, janë edhe 1200 subjekte parësore dhe jo parësore. Deri tani kanë marrë 70 mln dollarë. Me 262 subjektet e radhës mbyllet kësti i nëntë. Me këtë mbyllet kategoria parësore. Për strehimin kemi harxhuar 20-25 milion dollarë. Shumat që shoqëria shqiptare do të paguajnë shkojnë nga 650-750 milion dollarë. Trashëgimtarë të rrethit të parë janë, gruaja, djali vajza, janë 11 mijë dosje. deri në 15 vitet e ardhshme fatura e ish-pronarëve do u kushtojë shqiptarëve në total rreth 2 miliardë dollarë për të paguar. Kjo kosto po i kalohet brezave që vijnë ”sqaroi ndër të tjera  z. Ahmetaj.

Relatorja e këtij projektligji znj.Evis Kushi tha se synon përmirësimin e formulës për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit, apo familjarët e tyre.


“Buxheti i 2018 siguron mbështetjen për ish-të dënuarit politik. Rishikohet mekanizmi i shpërndarjes së fondeve, u jepet prioritet atyre që janë ende në jetë Sipas ligjit aktual, ndahet 70% për parësoret për bashkëshortin dhe fëmijët, 30% për trashëgimtarët e tjerë. Projektligji nuk sjell efekte në buxhetin e shtetit”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së kryetarit të këtij komisioni z. Braçe, se a ju duket normale që dëmshpërblimi të shkojë deri te trashëgimtarët e largët? Ministri z. Ahmetaj u shpreh se paratë duhet të shkojnë te rrethi i parë, që janë lidhur direkt me ata që kanë vuajtur.


Pas diskutimeve, anëtarët e komisionin e miratuan projektligjin në fjalë dhe ia kaluan për shqyrtim seancës plenare.