Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi mori pjesë në ceremoninë për nderimin e figurës së Adem Demaçit, në Kuvendin e Kosovës

  • Postuar më, 27/07/2018

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në nderim të figurës së Adem Demaçit, zhvilluar në sallën e parlamentit të Kosovës.

 

Në këtë ceremoni, znj. Hysi, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, ngushëlloi familjarët, miqtë, të afërmit dhe Kosovën për humbjen e atdhetarit të shquar Adem Demaçit.

 

Fjala e plotë e Zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë:    

 

“Të dashura Xhemajlie dhe Abetare, i dashur Shqiptar,

 

I nderuar President i Republikës së Kosovës,  z. Hashim Thaçi,

 

I nderuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli,

 

I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

 

I nderuar kryetar I Kuvendi të Maqedonisë, Z. Talat  Xhaferri.

 

Të nderuar kolegë dhe kolege

 

Të nderuar miq,

 

Sot, të gjithë jemi të dëshpëruar dhe të pushtuar nga hidhërimi. 

Prej ditës së djeshme, Kosova dhe shqiptarët nuk janë më si më parë.

 

Mbetem pa shqiptarin, patriotin, heroin, shkrimtarin, luftëtarin, dijetarin, humanistin dhe kalorësin e paqes, pa  Adem Demaçin. 

 

Ju sjell ngushëllimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për këtë humbje të rëndë.

 

Humbëm një njeri të madh dhe të jashtëzakonshëm.

 

Nuk është më midis nesh luftëtari i lirisë dhe i paqes, i njohur dhe i respektuar jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.

 

Kosova e lirë humbi një ndër fryëmëzuesit dhe martirin  e  lirisë së saj.

 

Të gjithë ne nuk kemi më oratorin dhe luftëtarin e të drejtave për Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar. 

 

Por, ndarja nga jeta e Adem Demacit thërret për të na bërë më të fortë. 

Dhe forcën na e mësoi ta gjejmë:

 

Ne energjitë e tij të pashtershme, që burojne nga shqiptarizmi dhe  patriotizmi.

 

Në vetmohimin e tij për lirinë e Kosovës dhe liritë e shqiptarëve. 

 

Në sakrificat e tij të pashembullta në emer të demokracisë dhe përparimit.

 

Në dhimbjen e tij për të gjithë grate dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Kosovëes dhe të gjithë shqiptarëve.

 

Në aftësitë dhe mësimet e tij të vyera për të ndërtuar demokracinë dhe institucionet e saj, në sherbim të të gjithë qytetarëve.

 

Në kontributin e tij të shquar për zhvillimin e kulturës dhe të qytetërimit shqiptar. 

 

Në humanizmin dhe shpirtin e sakrificës në emër të interesave të mëdha kombëtare. 

 

Ne thjeshtësinë dhe madhështine e këtij çlirimtari të madh, që vuajtjet dhe sakrificat sublime e ngjiten në Panteonin e Lirisë.


Të qoftë i lehtë dheu i mëmëdheut, miku ynë i shtrenjtë dhe i paharruar!”