Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua ora informuese “Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje” me pesëdhjetë gra nga Bashkia Devoll

  • Postuar më, 20/07/2018

20 korrik 2018


Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, në kujdesin e Zëvendëskryetares së Kuvendit, znj. Vasilika Hysi me nismën e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Edlira Bode, si dhe me mbështetjen dhe bashkëpunimin e OSBE-së, morën pjesë pesëdhjetë gra nga bashkia e Devollit, në kuadër të orës informuese “Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje”.


Të pranishëm në aktivitet ishin ambasadori i OSBE-së, z. Bernd Borschardt, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Bardhylka Kospiri, deputetët e Kuvendit z. Musa Ulqini, znj. Nora Malaj, znj. Kodiana Spahiu, znj. Antoneta Dhima, si edhe përfaqësues të administratës së Kuvendit të Shqipërisë.


Deputetja Edlira Bode në fjalën hapëse të aktivitetit njohu gratë e pranishme me programin e Kuvendit për pjesëmarrje në vendimmarrje. Znj. Bode ndau me të pranishmet përvojën e saj si deputete e re, pjesë nga veprimtaria e saj parlamentare e përditshme dhe disa nga funksionet e ligjvënësve në Kuvendin e Shqipërisë.


Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, në fjalën e saj përcolli tre mesazhe kryesore për gratë e pranishme: (i) Koordimin për të luftuar së bashku për të siguruar barazinë gjinore;  (ii) Inkurajim për të adresuar çështje dhe sugjerime që e fuqizojnë ekonomikisht gruan dhe vajzën shqiptare; (iii) Nxitje për t’i shkruar drejtpërsëdrejti çdo deputeti, për t’i sjellë dobi procesit ligjvënës sipas fushave përkatëse të interesit dhe ekspertizës.



Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Borschardt, inkurajoi Kuvendin e Shqipërisë për vijimësinë e aktiviteteve të tilla. Ambasadori e konsideroi aktivitetin si mundësi shumë të mirë për gratë që të mësojnë më shumë rreth punës dhe funksioneve të Kuvendit e që më tej ta transmetojnë përvojën dhe njohurinë në gra dhe burra të tjerë në qytetin e tyre. “Ne e kemi mbështetur organizimin e këtij takimi sot e shpresojmë që ky të jetë fillimi i një procesi të qëndrueshëm”, tha ambasadori.


Tryeza vijoi me shpjegimin e funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë nga punonjësit e administratës. Të pranishmit u bënë pjesë e diskutimit me pyetje dhe komentet e tyre.