Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

  • Postuar më, 17/07/2018

Përpara  fillimit të mbledhjes, anëtarët e komisionit mbajtën një minutë heshtje në nderim të figurës së aktorit të humorit z. Fadil Hasa, i cili një ditë më parë u nda nga jeta, nga një sëmundje e rëndë.


Më tej, komisioni zhvilloi  diskutimet  për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.


E pranishme në mbledhje ishte  Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla, e cila u shpreh se  ligji në fjalë shënon një qasje të re për funksionimin dhe organizimin e institucioneve përgjegjëse për sistemin arsimor parauniversitar.


Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla falënderoi Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim,i cili ka qenë partneri kryesor në realizimin e këtij projekti, që sipas saj, do të sjellë një histori të re në menaxhimin dhe të miradministrimit arsimor, në nivel drejtuesi shkolle.Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla falënderoi Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim,i cili ka qenë partneri kryesor në realizimin e këtij projekti, që sipas saj, do të sjellë një histori të re në menaxhimin dhe të miradministrimit arsimor, në nivel drejtuesi shkolle.


“Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave. Projektligji mundëson krijimin e bazës ligjore për një strukturë të re të prindërve në nivel kombëtar, atë të Këshillit Kombëtar të Prindërve. Në nenin 7, të projektligjit, propozohet të shtohet neni 29/1, i cili ngre dhe legjitimon strukturën e Këshillit Kombëtar të Prindërve, si strukturë e re dhe e nevojshme ligjore për zhvillimin e partneritetit dhe përfshirjes së qëndrueshme të prindërve në vendimmarrjet e institucioneve të sistemit arsimor të çdo niveli. Projektligji do të krijojë mundësi konkrete për institucionet arsimore për krijimin dhe vetadministrimin e të ardhurave që këto institucione krijojnë nëpërmjet shërbimeve ndaj të tretëve. Nëpërmjet projektligjit propozohet që drejtori dhe nëndrejtori i institucionit arsimor të kenë aftësi dhe kompetenca të certifikuara profesionale për drejtimin dy dhe administrimin e institucionit arsimor, pasi t’i jenë nënshtruar trajnimit përgatitor pranë një strukture të re”, - sqaroi ndër të tjera znj. Nikolla.


Nënkryetarja e komisionit, znj. Milva Konomi tha se ky ligj i shërben mënyrës sesi reforma në arsim, po shtrihet dhe në sistemin parauniversitar. “ Ndryshimet e bëra në këtë ligj ndihmojnë disa elementë, që kanë nevojë për tu zhvilluar në arsimin parauniversitar. Mbas 18 vjetësh përpjekje ne vendosëm Shkollën e drejtorëve si një instrument, për menaxhin e shkollave dhe arsimi është një çështje që i përket komunitetit, ndaj pjesëmarrja në komitete rajonalë është e rëndësishme sepse bënë komunitetin të përgjegjshëm, për cilësinë e arsimit”,- përfundoi znj. Konomi.

 


Ndërsa, kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi shprehu votën kundër këtij ligji. Sipas znj. Vokshi opozita ka  ngritur një sërë problematikash, që ka krijuar kjo ministri në drejtimin e Ministres Nikolla.

“Kemi përmendur dhe kemi denoncuar dhe në  Prokurori shkeljen flagrante që i është bërë ligjit “Për mbrojtjen e të dhënat personale”, i cili është drejtuar nga Ministrja me urdhër të Kryeministrit për mbledhjen e të dhënave krejt personale të prindërve të fëmijëve që përbejnë rreth 70% të votuesve. Gjithashtu problematikë tjetër është zhvillimi i pyetësorëve me përmbajtje krejtësisht të pa përshtatshme për moshën dhe zhvillimin normale të fëmijëve. Folëm për tekstet shkollore të cilat edhe ashtu kanë lënë shumë për të dëshiruar për mënyrën e hartimit dhe çfarë transmetojnë tek nxënësit. Firmosje e kontratës kolektive e cila mbajti për gati 2 vite në tejkalim të gjitha afateve duke krijuar ankth dhe pasiguri për rreth 34 mijë mësues. Problemi që lidhet me maturën shtetërore, eksperimentimi i nismës 3 lëndë në 6 orë e cila është një dështim, rastet e përsëritura të dhunës në shkolla.”