Komisioni për Integrimin Evropian miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 17/07/2018


17 korrik 2018

 

Komisioni parlamentar për Integrimin Evropian, në drejtimin e zëvendëskryetarit, z. Bledi Çuçi, në mbledhjen e sotme miratoi dy projektligje: projektligjin “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë” dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar.   


Pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve 14.05.2018 dhe 09.07.2018, komisioni nisi shqyrtimin e projektligjit “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. I pranishëm në komisionin e Integrimit Evropian për paraqitjen e projektligjit ishte zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi.


Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, e cilësoi ligjin të rëndësisë kombëtare, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të veprimtarisë që rregullon.


Z. Koçi u ndal në fjalën e tij edhe në detyrimet ndërkombëtare, për rregullimin me ligj të kësaj veprimtarie: “Detyrimet ndërkombëtare vijnë për shkak të detyrimeve që kemi ndaj rezolutës 15/40 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, si edhe detyrimi tjetër vjen për shkak të procesit të integrimit evropian, që lidhet me kriteret e domosdoshme, që duhet të plotësojë Shqipëria në përmbajtje të marrëveshjes së stabilizim- asocimit të firmosur nga Republika e Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian.” Zëvendësministri i Mbrojtjes listoi problematikat e vërejtura gjatë zbatimit të projektligjit ekzistues, si edhe renditi gjithashtu zgjidhjet që ofron dhe adreson projektligji i ri i sjellë për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.


Ligji i ri i përcakton më qartë çështjet e dallimit të qartë mes licencave dhe autorizimeve, si edhe në përmbajtjen e tij, përfshihen dispozita të qarta që trajtojnë ndryshe transferimin e mallrave ushtarake dhe ndryshe transferimin e mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë”, u shpreh për komisionin z. Koçi.


Në fund të diskutimeve në komision, anëtarët miratuan projektligjin “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë.


Komisioni vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjit vijues në rendin e ditës: projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar. Të pranishëm në komision për paraqitjen e projektligjit ishin përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Znj. Majlinda Hafizi, drejtore e Politikave të Zhvillimit Ekonomik në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i bëri me dije komisionit që: “Objektivi i përgjithshëm i projektligjit është fuqizimi i konsumatorëve nëpërmjet informimit të tyre për shitjet dhe shërbimet që ofrohen në treg, si dhe një mbrojtje më e madhe për ta, duke siguruar që mosmarrëveshjet ndërmjet tyre dhe tregtarëve të trajtohen nga struktura jashtëgjyqësore, që ofrojnë procedura të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve, të paanshme, transparente, efektive dhe të drejta, pa i kufizuar të drejtën konsumatorëve për t’iu drejtuar gjykatës, duke kontribuar, kështu, në funksionimin e mirë të tregut të brendshëm”


Në përfundim të diskutimeve, komisioni i Integrimit Evropian, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, e miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar


Komisioni, në bashkëdakordësi, vendosi që projektligji i fundit i parashikuar në rendin e ditës së mbledhjes së komisionit, projektligji për “Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë”, të shtyhej për shqyrtim në sesionin e ri parlamentar.