Zhvillim të qëndrueshëm për mirëqenien, kohezionin social dhe lumturinë e qytetarëve

  • Postuar më, 12/07/2018

12 korrik 2018

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi po merr pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore në Varshavë, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të parlamentarizmit në Poloni, në datat 12-13 korrik, i ftuar nga kryetari i Senatit dhe kryetari i Parlamentit të Polonisë. Kryetari i Kuvendit z. Ruçi shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla.

Në fjalën e tij të mbajtur në Samit, z Ruçi vuri në dukje se Evropa Qendrore dhe Lindore  përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit dhe  një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit.

Pavarësisht diferencave midis tyre, ato konvergojnë në një drejtim kryesor: vlerat evropiane. Evropianizimi i shoqërive tona është tipar i kohës.

Prandaj bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë.

Z Ruçi falenderoi parlamentet e Polonisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm ishte një temë qëndrore e Samitit.

Kuvendi i Shqipërisë po punon për inkorporimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në hartimin e ligjeve, buxhetit, funksionet e mbikëqyrjes e përfaqësimit, si edhe dokumentat strategjikë, programet e masat e qeverisë. 

Gjatë dy viteve të fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e reformës në drejtësi, unike në rajon, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë. Rezultatet e kësaj reforme janë të prekshme dhe mbresëlënëse.

Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për fuqizimin e mirëqenies dhe kohezionit social.

Vendi po rritet ekonomikisht me rreth 3-4 përqind në vit, duke rimodeluar zhvillimin ekonomik drejt hapjes së vendeve të punës, reduktimit të varfërisë dhe zgjerimit të shërbimeve publike, sociale e shëndetësore cilësore e të përballueshme. 

Rezultat i reformave është ulja e ndjeshme e papunësisë, e cila, për herë të parë pas vitit 1990, arriti 12.5 përqind; ulja e varfërisë së matur  me fuqinë blerëse, e cila është përgjysmuar gjatë gjashtë viteve të fundit: nga 62.5 në 32.8 përqind; ngushtimi i hendekut gjinor në tregun e punës dhe ecja drejt Mbulimit Shëndetësor Universal.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit Z. Gramoz Ruçi, në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Europës Qendrore e Lindore, Varshavë, 12 korrik 2018

 I nderuar z. Marek Kushinski, Marshal i Sejmit i Republikës së Polonisë,

I nderuar z. Stanislav Karzevski, Marshal i Senatit të Republikës së Polonisë,

Të nderuar kolegë Kryetarë, drejtues e përfaqësues të Parlamenteve të Evropës Qëndrore dhe Lindore,

Të nderuar miq,

Çështjet e agjendës së këtij sesioni janë themelore për zhvillimin e Evropës Qendrore e Lindore, për kontinentin e më gjerë.

Ky rajon përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit.

Ai përfaqëson një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë.

Agjenda 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nisen nga vizioni i integrimit të dimensioneve ekonomike, sociale e mjedisore të zhvillimit.

Ne, udhëheqësit dhe qytetarët e këtyre shoqërive, duhet të punojmë për shoqëri me më pak varfëri, më shume dije e ekonomi të dijes, marrëdhënie miqësore me mjedisin, zhvillim të qëndrueshëm e për të gjithë.

Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit.

Pavarësisht diferencave midis tyre, ato konvergojnë në një drejtim kryesor: vlerat evropiane. Evropianizimi i shoqërive tona është tipar i kohës.

Prandaj bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë.

Para pak ditësh, Këshilli Evropian iu përgjigj pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme, e cila vlerësoi përpjekjet tona drejt perspektivës evropiane.

Përfitoj nga ky rast të shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për parlamentet e Polonisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Greqisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrimin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.