Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut raportoi për veprimtarinë vjetore të institucionit Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe u miratuan dy projektligje

  • Postuar më, 12/07/2018

12 korrik 2018


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, shqyrtoi dhe miratoi nen për nen projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18. 12. 2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, si edhe u njoh me raportin vjetor të veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2017.


I pranishëm në komision për shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17. 4. 2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar” ishte zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi. Relatore këtij projektligji për komisionin ishte deputetja Elena Xhina.


Z. Haxhi, sqaroi se objektivi i përgjithshëm i projektligjit ishte fuqizimi i konsumatorëve nëpërmjet rregullimit të informimit të tyre mbi shitjet dhe shërbimet e ofruara ne treg. Sipas zëvendësministrit projektligji ka për qellim mbrojtjen më të lartë të tyre.  


“Ndryshimet kryesore që janë paraqitur kanë të bëjnë me harmonizimin me legjislacionin evropian të fushës së mbrojtjes së konsumatorëve (direktiva 83/2011 dhe direktiva 11/2013); ndryshimi i dytë që synohet të arrihet ka lidhje me përcaktimin e rregullave për informimin e konsumatorëve mbi shitjen dhe shërbimet që ofrohen në treg; ndryshimi i tretë ka lidhje me zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve ndërmjet konsumatorit dhe tregtarëve nga struktura jashtëgjyqësore (…) Ndryshimi i katërt ka parashikuar disa dispozita në lidhje me delegimin e një pjese të funksioneve të pushtetit vendor në lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve, kryesisht të lidhura me informimin, ndërgjegjësimin dhe mbledhjen e ankesave të tyre”, ishin fjalët e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave, z. Haxhi, në raportimin për komisionin. Relatorja e projektligjit për komisionin ishte znj. Elena Xhina, që theksoi në fjalën e saj mënyrën alternative që ky projektligj sjell për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtar-konsumator. 


Në fund të diskutimeve, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar”.


Komisioni vijoi shqyrtimet për pikat e parashikuara në rendin e ditës së mbledhjes së komisionit me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”. E pranishme në komision për diskutimet nen për nen ishte zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Adriana Jaku. Komisioni, në seancat e mëparshme, kishte zhvilluar diskutimet në parim projektligjet. Relatorja e komisionit, znj. Vasilika Hysi dhe përfaqësuesit e ministrisë, shqyrtuan nen për nen sugjerimet për ndryshime në projektligj. Në fund të diskutimeve, komisioni, në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi nen për nen projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”.


Pika e fundit e rendit të diskutimeve të ditës së komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut përfshinte raportimin vjetor të veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. I pranishëm në komision ishte inspektoi i Përgjithshëm i ILKDP-së, z. Shkëlqim Ganaj. Z. Ganaj raportoi përpara komisionit lidhur me veprimtarinë e institucionit që drejton për çështje si: Zbatimi i Ligjit nr. 84/2016 “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë; Zbatimi i Ligjit nr.60/2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”; Zbatimi i Ligjit nr. 9049/2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të Disa Nëpunësve Publikë” dhe Sistemi Elektronik i Deklarimit të Interesave privatë; Të dhënat mbi deklarimin  dhe kontrollin e deklaratave të interesave privatë etj.