Mblidhet Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

  • Postuar më, 11/07/2018

11 Korrik 2018


Në mbledhjen e sotme të komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, u miratua në parim projektligji “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë” dhe në vijim të mbledhjes raportuan znj. Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë dhe znj. Arta Marku, prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë. Znj. Gjonaj, ministre e Drejtësisë, raportoi lidhur me mënyrën e zbatimit nga organi i Prokurorisë së rekomandimeve prioritare të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit gjatë vitit 2017. Kryeprokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Arta Marku, raportoi në kuadër të raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për veprimtarinë e ushtruar gjatë vitit 2017.

Komisioni nisi punimet me shqyrtimin në parim të projektligjit “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”. Në komision morën pjesë përfaqësues të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Projektligji, sipas përfaqësuesve të ministrisë, synon rregullimin ligjor të përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionin civil. Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi në parim “Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë”.

Më tej, punimet e mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijuan me raportimin e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj. Znj. Gjonaj raportonte për mënyrën e zbatimit nga organi i Prokurorisë së rekomandimeve prioritare të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit gjatë vitit 2017.

Znj. Gjonaj, në raportimin e saj u shpreh si vijon: “Gjatë vitit 2017 nuk ekzistoi njësia për inspektimin e prokurorëve, bllokoi vettingun. Procesi u zhbllokua vetëm në shkurt të 2018. Ministrja e Drejtësisë vlerëson se duhet të forcohen kapacitetet profesionale të njësisë së dekriminalizimit. Është e ulët ndjekja e raste kryesisht, 0.33% në raport me të gjitha çështjet, për vitin 2017. Qeveria e ka rekomanduar edhe në 2018 për të evidentuar këto probleme. Lidhur me cilësinë hetimeve për zyrtarët e lartë, MD vlerëson se edhe në 2017 ka pasur pak ndjekje të suksesshme. Lidhur me hetimet pasurore dhe asetet e konfiskuara, MD vlerëson se numri i rasteve të dërguara për gjykim është i ulët. Përsa i përket luftës për krimin e organizuar, bashkëpunimi  prokurorisë me institucionet e tjera nuk ka qenë në nivelet më të mira. Për 2017, nga 320 procedime vetëm 36 janë dërguar për gjykim.”

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në pikën e fundit të rendit të ditës kishte të përfshirë raportimin e prokurores së Përgjithshme, znj. Arta Marku, për raportimin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me veprimtarinë e ushtruar përgjatë vitit 2017.

“Përsa i përket luftës kundër korrupsionit gjatë 2017 ka pasur 12 procedime penale, 6 për zyrtarë të lartë dhe 6 prokurorë e gjyqtarë. Nga Krimet e Rënda janë kryer hetime pro aktive për 11 procedime penale. Ka pasur një rritje prej 69% të procedimeve për korrupsion në 2017, në krahasim me 2016. Për 2017 për korrupsion, prokuroria ka regjistruar 124 procedime penale. Nga 2017 ka pasur 17 procedime për banda dhe organizata kriminale, 16 për grup të strukturuar, ndërsa në 2016, 17 për këtë vepër. Hetimet nga prokuroria në 2017 nuk i përgjigjen perceptimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, mungesë bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese”, ishin fjalët e znj. Arta Marku, prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, në raportimin e bërë për komisionin.