Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj të rëndësishëm për ndërtimin e gazsjellësit TAP

  • Postuar më, 11/07/2018

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.


I pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale, z. Nikolla Lera.


Relatorja e projektligjit, deputetja znj. Tatiana Piro bëri relatimin e nismës ligjore duke u shprehur se: “ Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i marrëveshjes së ndryshimit nëpërmjet Republikës së Shqipërisë duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adratik AG me qeverinë e vendit pritës, e cila është e ratifikuar nga Kuvendit me ligjin nr 116/2013. Ndryshimet e propozuara synojnë të përshijnë në marrëveshjen me qeverinë pritëse disa dispozita që rregullon trajtimin e tatimit mbi vlerën e shtuar ne lidhje me aktivitetet ndërtimit gjatë fazës së ndërtimit të projektit TAP, kryesisht për të përfshirë zbatimin e skemës së auto-faturimit në lidhje me TVSH e investitorit të projektit të kontraktorëve përsa i përket furnizimit të mallrave dhe shërbimeve. Ky propozim i ri i skemës së TVSH-së në lidhje me projektin TAP është kombinim i sistemit të auto-faturimit me sistemin tradicional të aplikimit të TVSH-së që synon të ulë parametrat të menaxhueshëm në shumën e kërkesave për rimbursimin e TVSH-së me qëllim që projekti TAP të mos vihet në vështirësi financiare të punimeve”.


Pas prezantimit të bërë nga deputetja znj. Tatiana Piro, anëtarët e komisionit vijuan diskutimet mbi projektligjin.


Pas shqyrtimit, Komisioni vendosi miratimin e projektligjit nen për nen dhe në tërësi duke ia përcjell për shqyrtim seancës plenare.