Kryetari i Kuvendit Z.Gramoz Ruçi, priti Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Z. Krzysztof Kwiatowski

  • Postuar më, 10/07/2018

Kryetari i Kuvendit Z.Gramoz Ruçi, priti sot Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Z. Krzysztof Kwiatowski, i shoqëruar nga Ambasadori i Polonisë në Tiranë, Z. Karol Bachura, si edhe Kryetari i KLSH, Z. Bujar Leskaj.


Polonia është për Shqipërinë një vend partner e mik dhe përfaqëson një nga modelet më të suksesshme të progresit drejt demokracisë dhe integrimit europian, nënvizoi Kryetari i Kuvendit. Z. Ruçi vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Polonisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.


Auditimi e veprimtarisë së institucioneve shtetërore është me rëndësi thelbësore për zhvillimin dhe demokracinë. Nisur nga ky vizion, në mënyrë konsensuale në Shqipëri Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit është përfaqësues i opozitës. Kjo i shërben konsolidimit të demokracisë, krijon një ekuilibër në kontrollin e veprimtarisë qeverisëse prej opozitës, duke i dhënë asaj mundësi pjesëmarrjeje në instrumentat veprues të kontrollit dhe auditimit. Por kjo i shërben edhe eficencës së kontrollit të qeverisjes, duke e bërë atë më funksionale, më të thellë dhe më përfshirëse. 


Edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit drejtohet nga një përfaqësues i opozitës, Kuvendi po bashkëpunon me këtë institucion në mënyrë të frytshme. Komisionet parlamentare dhe deputetët mbështeten ne indiciet nga auditimet e Kontrollit në ushtrimin e detyrave të tyre funksionale për kontrollin parlamentar. Ne mbështesim që audituesit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të bëhen gardianë më të vëmendshëm të ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes. 


Kuvendi ka miratuar një Ligj të ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, në vitin 2014, i cili ofron më shumë garanci për zbatimin e standarteve ndërkombëtare të auditimit, si edhe për bashkëpunimin efektiv me Kuvendin.  Në vitin 2017 gjithashtu u krijua mekanizmi ndërintitucional Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, si një instrument  efikas për monitorimin sistematik të ndjekjes e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura ndaj ekzekutivit. 


Mekanizmi i krijuar nga Kuvendi janë në harmoni me parimet e praktikat më të mira europiane për marrëdhëniet efektive midis parlamenteve dhe institucioneve supreme të auditimit.


Kryetari i Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë me Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë.


Nga ana e tij, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Z. Krzysztof Kwiatowski, falenderoi Z, Ruçi për pritjen, bashkëpunimin e frytshëm të Kuvendit të Shqipërisë me Kontrollit të Lartë të Shtetit si edhe vlerësimet për bashkëpunimin dypalësh të KLSH-së me Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë. Ai e informoi Kryetarin e Kuvendit për përfundimin me suskes të një projektit të parbashkët dhe shprehu vlerësimet e tij më të larta për përformancën dhe standartet e larta europiane të puëns së Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë.