Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vizitoi Qendrën Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara

  • Postuar më, 29/12/2021

Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë edhe në Qendrën Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara.Qendra është ngritur në vitin 2015, me ndihmën dhe mbështetjen Ambasadës së Shqiperisë dhe asaj të Kosovës në Turqi dhe vazhdon të funksionoje si një kontribut dhe veprimtari e përbashkët e tyre. Një kontribut të madh për zhvillimin e veprimtarive të Qendrës japin edhe studentët nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare që studjojnë në universitetet e Ankarasë. Administratori  Serdarl Vardar e njohu Kryetaren Nikolla me përmbajtjen e dokumentacionit dhe veprimtaritë e Qendrës. Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Kryetarja e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin e Turqisë, znj. Fatma Aksal, e cila shoqëronte znj. Lindita Nikolla në këtë vizitë, vlerësuan veprimtarinë e Qendrës , si një vatër e dijes, historisë, kulturës, gjuhës dhe qytetërimit shqiptar dhe si një shprehje tjetër e miqësisë dhe e komunikimit midis dy popujve. Kryetarja Nikolla premtoi gjithashtu se Kuvendi i Shqipërisë do të kontribuojë në pasurimin e dokumentacionit e materialeve dhe mbështetjen e veprimtarive të Qendrës.Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Kryetarja e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë, znj. Fatma Aksal, njëkohësisht drejtuese e Komisionit për Barazinë Gjinore në Parlamentin e Turqisë, vizituan edhe qendrën e tregtimit të produkteve artizanale e artistike, për të ndihmuar gratë në nevojë, e cila mbështetet edhe nga deputetja Aksal.

Znj. Nikolla dhe znj. Aksal e vlerësuan këtë nismë dhe nënvizuan nevojën e bashkëpunimit parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave e programeve për të mbështur gratë në nevojë dhe rritur pjesëmarrjen e grave në vendim-marrje dhe zhvillimin e shoqërisë.  Gjatë vizitës në Bibliotekën Kombëtare të Ankarasë, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u premtoi autoriteteve të Bibliotekës pasurimin prej Kuvendit të stendës së botimeve shqiptare.



Share