Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj

  • Postuar më, 06/12/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.99/2021, “Për ratifikimin e vendimit të komitetit të përbashkët EFTA–Shqipëri nr. 1 i vitit 2021, miratuar më 24.6.2021, për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes se tregtisë së lirë,  ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, dhe ndryshimin  e marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës,  dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse e saj”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z. Besart Kadia, znj. Vjollca Neziri drejtoreshë juridike e Drejtorisë së Doganave, znj. Arjana Durmishi drejtoreshë e Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit Ekonomik.

Në fjalën e tij z. Kadia u shpreh se kjo marrëveshje amendon Nenin. 3 të marrëveshjes bazë lidhur me rregullat e origjinës dhe bashkëpunimit administrativ.

“Ky amendim konsiston në faktin se rregullat e origjinës të produkteve bujqësore do të jenë sipas protokollit B, të marrëveshjes bazë të tregtisë së lirë.”, theksoi zëvendësministri Kadia.

Relatori i çështjes, z. Baftjar Zeqo tha se ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e synimit të marrëveshjes për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, e cila është pjesë përbërëse e vendimit të Komitetit të përbashkët EFTA, Shqipëri, dhe i paraqitet në shqyrtim Kuvendit.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

 


Share