Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohet nen për nen dhe në tërësi paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2022, miratohen edhe tre projektligje të tjera dhe dy projektvendime

  • Postuar më, 25/11/2021

25 nëntor 2021 

Kuvendi, në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u mblodh sot në seancë plenare dhe shqyrtoi e miratoi nen për nen dhe në tërësi paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2022. Seanca e sotme miratoi gjithashtu edhe tre projektligje të tjera: projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr. 86/2016”. Seanca miratoi gjithashtu edhe projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19”.

 

Paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2022

Seanca e sotme, pas diskutimeve dyditore në kuadër të shqyrtimit në parim, miratoi sot nen për nen dhe në tërësi paketën fiskale dhe projektbuxhetin.  Projektligj “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”” u miratua me 76 vota pro dhe 46 kundër. Në këtë pikë u rrëzuan amendamentet e sjella nga deputetët Erion Braçe (10 pro, 84 kundër, 5 abstenim); nga deputetja Jorida Tabaku (45 pro, 76 kundër); dhe tre amendamentet e sjella nga deputetet Xhixho dhe Kryemadhi (30 pro, 3 abstenim, 77 kundër).

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”” u miratua me 76 vota pro dhe 46 kundër. Amendimet e paraqitura nga deputeti Erjon Braçe u rrëzuan me 7 vota pro, 84 kundër dhe 8 abstenime.  

Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”” u miratua me 76 vota pro dhe 46 kundër. Amendimet e paraqitura nga deputeti Erjon Braçe u rrëzuan me 8 vota pro, 83 kundër dhe 7 abstenime.

Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””u miratua me 76 vota pro dhe 46 kundër. Amendimet e paraqitura nga deputeti Erjon Braçe u rrëzuan me 8 vota pro, 84 kundër dhe 5 abstenime.

Projektligji për buxhetin e shtetit të vitit 2022 u miratua me 77 vota pro dhe 46 kundër. Për këtë projektligj u miratuan amendimet e deputetit Taulant Balla, me 87 vota pro, 22 kundër dhe 2 abstenim, si edhe u rrëzuan amendimet e deputetëve Alfred Rushaj dhe Bujar Leskaj, me 41 vota pro dhe 74 kundër, si edhe u rrëzua po ashtu amendimi i deputetit Petrit Vasili me 32 vota pro, 80 kundër dhe 1 abstenim.  

Tre projektligje të miratuara

Seanca e sotme miratoi gjithashtu edhe tre projektligje të tjera.

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”, u miratua me 127 vota pro dhe 2 abstenim. Buxheti i përgjithshëm i programit për vitin 2020 arrin vlerën e 1.8 mln euro, nga të cilat 1.53 milionë janë nga fondet IPA.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, i iniciuar në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të dy qeverive, me qëllim për të thjeshtëzuar dhe lehtësuar procedurat dhe masat e lidhura me kontrollet kufitare të menaxhimit të qarkullimit ndërkufitar ndërmjet dy vendeve u miratua me 127 vota pro dhe 2 abstenim.

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr. 86/2016”, që synon të kontribuojë për përmirësimin dhe për forcimin e planifikimit të rrjetit kryesor rrugor shqiptar gjatë akseve të Korridorit VIII dhe të forcojë potencialin e zhvillimit social – ekonomik të Shqipërisë dhe të vendeve fqinje, u miratua me 124 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Seanca, me 125 vota pro dhe 3 abstenim, miratoi edhe projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19”.

Gjithashtu, në seancën e sotme u miratua me 122 vota pro dhe 2 abstenime projektvendimi "Për një shtesë në projektvendimin 70/2021 "Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme".


Share