Zhvillohet mbledhja e tetë e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”

  • Postuar më, 24/11/2021

Në drejtimin e kryetarit të këtij komisioni z. Enkelejd Alibeaj, u zhvillua sot mbledhja e tetë e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”. Në rend të ditës së komisionit ishte: 1) miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 17.11.2021; 2) njoftime lidhur me përgjigjet e institucioneve, të cilave komisioni u ka kërkuar të dhëna; 3) shqyrtimi paraprak i këtij dokumentacioni dhe vlerësimi i nevojës për dokumentacion shtesë; 4) miratimi i planit të hetimit; 5) deklarimi i fillimit të hetimit dhe 6) caktimi i mbledhjes së ardhshme të komisionit.

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së komisionit të datës 17.11.2021, kryetari i komisionit hetimor, z. Alibeaj njoftoi përgjigjet e mbërritura deri më tani në adresë të komisionit hetimor, si dhe kërkesën e bërë nga deputeti Petrit Vasili për plotësimin e planit paraprak të hetimit. Kryetari i komisionit z.Alibeaj prezantoi planin paraprak të hetimit për zgjedhjet e 25 prillit 2021, faktet dhe rrethanat e parashtruar në kërkesë, si dhe hapat e zbatimit të tij. Nga shumica parlamentare u paraqitën disa amendamente për ndryshime në planin paraprak, që nuk u pranuan nga Kryetari i Komisionit, i cili hodhi në votim planin e hetimit, por me shumicë votash nuk u miratua. Mosmiratimi i planit hetimor solli debate në komision dhe shumica parlamentare kërkoi 5 minuta pushim për qetësimin e situatës, por kryetari i komisionit vendosi në mënyrë të njëanshme  mbylljen e mbledhjes, gjë që solli largimin e pakicës parlamentare nga mbledhja e komisionit. Pas pushimit mbledhja vijoi me drejtimin e nënkryetarit z. Toni Gogu, ku të pranishëm ishin anëtarët e shumicës parlamentare me një kuorum të plotë për zhvillimin e mbledhjes. Z.Gogu parashtroi kërkesat shtesë të anëtarëve të komisionit nga shumica parlamentare, si dhe listën e dëshmitarëve. Pas parashtrimit, anëtarët e komisionit nga shumica parlamentare miratuan planin e hetimit dhe u deklarua nisja e fillimit të hetimit. Në përfundim të mbledhjes, sekretari i komisionit hetimor z.Klevis Xhoxhi, njoftoi vendimin e ndërmjetëm të miratuar me votat e anëtarëve të shumicës parlamentare në mbledhjen e kaluar për një ndryshim të nenit 14, pika 3, të rregullores së brendshme të komisionit hetimor.


Share