Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”

  • Postuar më, 24/11/2021

24 nëntor 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi në mbledhjen e radhës projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar” . Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre e  Financave dhe Ekonomisë, z. Elvis Koçi, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, stafi teknik i DPPPP-së, si dhe z. Akil Rajdho, Administrator i kompanisë “R.Pay”.

Zëvendësministrja Vjero sqaroi qëllimin dhe risitë e projektligjit, duke parashtruar se nisma synon përafrimin e plotë me direktivën e BE për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit, si dhe ka qenë një kërkesë e ritheksuar nga Komisioni Europian, njëkohësisht edhe angazhim i Shqipërisë në Forumin Ministror BE-Ballkan Perëndimor ku është kërkuar që këto ndryshime ligjore të realizohen brenda këtij viti.

“Shqipëria është pjesë e procesit të vlerësimeve nga organizmat ndërkombëtar siç është Moneyval apo FATF që është Task Forca e Veprimit Financiar, të cilat kanë identifikuar pikërisht nevojat që janë të adresuara dhe sot në këtë ndryshim ligjor”, u shpreh znj.Vjero, duke theksuar më tej se projektligji i është nënshtruar konsultimit të gjatë publik, pasi grupet e interesit janë njohur me projekt-aktin që prej muajit Janar të këtij viti dhe se komentet dhe sugjerimet e ardhura nga GIZ dhe Delegacioni i BE-së janë reflektuar në projektligj.  Ndër risitë e projektligjit znj.Vjero përmendi ndryshimin e përkufizimit të “bankës guaskë”, “Marrëdhënie korrespondente”; ndryshimin e përkufizimit të pronarit përfitues, etj.

Deputetja Antoneta Dhima në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës, duke theksuar se qëllimi primar është mbrojtja e sistemit financiar dhe e ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Synohet zvogëlimi i rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit”, u shpreh znj.Dhima.  Më tej z. Akil Rajdho, përfaqësues i grupeve të interesit, paraqiti përpara komisionit disa shqetësime dhe sugjerime lidhur me projektligjin.

Më pas përfaqësuesit e  Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me regjistrin e pronarëve përfitues, rezultatet dhe rastet e referuara nga DPPPP në organet ligjzbatuese, etj. Pas komenteve, pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share