Zhvillohet mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtohet nisma e shumicës parlamentare për ndryshimet kushtetuese

  • Postuar më, 23/11/2021

23 nëntor 2021

Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku u vijua me shqyrtimin e nismës së grupit parlamentar të shumicës parlamentare “Për një ndryshim në ligjin 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, i depozituar në Kuvend më datën 15 tetor 2021.

Në rendin e ditës të mbledhjes ishte prezantimi i opinioneve të ekspertëve të caktuar për shqyrtimin e nismës, në zbatim të detyrave të ngarkuara nga Kuvendi. Të pranishëm në mbledhje ishin: Prof.Dr. Aurela Anastasi, Dr.Erind Mërkuri dhe znj.Silva Caka, të cilët ishin ftuar për të dhënë opinionet e tyre lidhur me nismën, por dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve që deputetët u kishin dërguar për çështje të caktuar.

Në nisje të dëgjesës z.Mërkuri paraqiti disa argumente përse nevojitet shtyrja e afateve të organeve të Vetingut, ku mes të tjerash përmendi cënimin e barazisë së trajtimit të subjekteve të rivlerësimit në rast të mosshtyrjes së afatit. “Rezulton se përvoja që këto institucione kanë krijuar është e ndryshme nga ajo e organeve të Vetting-ut, ndaj trajtimi do të ishte ndryshe i subjekteve që kalonin pranë këshillave, nga ato të Vetting-ut”, u shpreh konsitucionalisti Mërkuri.

Konstitucionalistja Aurela Anastasi ndër të tjera sqaroi se dy këshillat, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk janë organe të dedikuara për rivlerësimin, madje as baza ligjore e tyre nuk është e njëjtë, çka mund të çoi në krijimin e situatave të ndryshme mes dy këshillave, por edhe të ndikojë në ecurinë e procesit pasi mund të krijohen marzhe të ndryshme rivlerësimi.

Znj. Anastasi si pika të forta të nismës për zgjatjen e mandatit të organeve të vettimit përmendi vazhdimësinë dhe konsistencën, sepse është krijuar përvoja e nevojshme, nuk ndryshohet asnjë standard i njehsuar i procesit dhe vendimmarrjes për secilin prej subjekteve të rivlerësimit, por dhe nuk kërkohet  kohë dhe kosto shtesë.

Si anë të tjera pozitive të nismës, konstitucionalistja Anastasi përmendi garantimin e vazhdimësisë së mbështetjes nga ONM, sipas një praktike dhe përvoje të fituar tashmë: “si dhe mban nën kontroll të rreptë kohëzgjatjen e procesit të Vettingut dhe garanton përkohshmërinë e tyre sikurse kërkohet nga Opinionet  e Komisionit të Venecias”.

Pas dëgjesës, mbledhja vijoi me caktimin e bashkërelatorit të nismës, çështje që nuk ishte ezauruar për shkak të mungesës në mbledhje të pakicës parlamentare. Me propozim të znj.Klotilda Bushka, bashkërelator i nismës u caktua z.Klevis Xhoxhi, megjithatë u vendos që pakica parlamentare të mund të bëjë propozimet e saj në mbledhjet e radhës.

 


Share