Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022”

  • Postuar më, 23/11/2021

23 nëntor 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës vijoi me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”. Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin znj. Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i kësaj ministrie. Në nisje të mbledhjes, gjatë shqyrtimit të raporteve të komisioneve të Kuvendit për projektbuxhetin e vitit 2022, kryetari z.Shalsi sqaroi se disa komisione parlamentare kanë parashtruar propozime për ndryshime në shpenzimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2022 për ministritë dhe institucionet brenda fushës që ato mbulojnë, duke dhënë edhe argumente mbështetëse. Problematikat e trajtuara në seancat dëgjimore dhe propozimet e shoqërisë civile, janë diskutuar me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, e cila ka analizuar mundësitë për të axhustuar disa prej këtyre nevojave në projektbuxhetin e vitit 2022. Z.Shalsi detajoi riformulimet e disa prej neneve të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022” dhe rialokimet e bëra në tabelat shoqëruese, në të cilat ishin reflektuar disa prej këtyre propozimeve, të dakordësuara me MFE. Ministrja Ibrahimaj sqaroi parashikimet e treguesve që lidhen me burimet e financimit të deficitit në vitin 2022 pas përfundimit të procesit të emetimit të Eurobondit, si dhe axhustimet e bëra në listën totale shtesë të koncesioneve që mund të zhvillohen përgjatë vitit 2022. Ministrja sqaroi se është hequr koncensioni i kolaudimit, shërbim i cili i ka kaluar DRTSHRR, është saktësuar shifra e Rrugës së Arbrit, e cila në tabelën e mëparshme kishte një parashikim të kostos deri në përfundim të projektit, janë bërë saktësime në vlera të vogla për projektet e aeroportit të Sarandës, Triportin e Vlorës, rrugën Milot-Fier. “Të gjitha këto e kanë zvogëluar vlerën totale të kontratave koncensionare që mund të zhvillohen në vitin 2022. Është tabelë shtesë që nuk e prek buxhetin e vitit 2022”, saktësoi znj.Ibrahimaj.  Ministrja iu përgjigj më pas pyetjeve të deputetëve të komisionit lidhur me fondin e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, kërkesat buxhetore të institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë, fondin e menaxhimit të mbetjeve urbane nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, fondin e transfertës së pakushtëzuar, detyrimet e prapambetura nga ish-komunat, etj.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin  vitit 2022” dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share