Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti z. Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi: PABSEC, kultura të ndryshme, qëllime të përbashkëta për prosperitet e paqe

  • Postuar më, 27/10/2021

27 tetor 2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti z. Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, PABSEC. Z. Hajiyev e uroi znj. Nikolla për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe e garantoi për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të PABSEC dhe të vendeve anëtare me Kuvendin e Shqipërisë.  

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se “Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një anëtare aktive e PABSEC. Kuvendi i Shqipërisë ka dhe ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha veprimtaritë e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i Kuvendit me PABSEC ka qenë është një kontribut për zhvillimin, bashkëpunimin, paqen dhe sigurinë në rajonin e Detit të Zi, një mozaik popujsh me kombësi, besime, kultura të ndryshme, por qëllime të përbashkëta: mirëqenie, zhvillim, prosperitet, stabilitet e paqe në rajon e me gjerë.”


Share