NJOFTIM PËR RISHPALLJEN E 4 (KATËR) VENDEVE VAKANTE PËR ANËTAR TË AUTORITETIT TË MEDIAVE AUDIOVIZIVE

  • Postuar më, 27/10/2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 27 tetor 2021, konstatoi se, pas përfundimit të afatit ligjor te njoftimit zyrtar për shpalljen e vakancave, nuk është paraqitur numri i nevojshëm i kandidaturave për anëtar të AMA-s të kërkuara në bazë të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuarNë këto kushte, mbështetur në nenin 9, pika 2, të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”,

 

VENDOSI:

1.   Rishpalljen e 4 (katër) vendeve vakante për anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

2.      Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive, subjektet e mëposhtme:

a) shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike;

b) shoqatat e medias së shkruar;

c) profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike;

ç) profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë;

d) organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike, ose përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.

 

3. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 27 nëntor 2021.

4. Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:

a) CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati.

b) Librezë pune ose vërtetime te tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë.

c) Vërtetim i gjendjes gjyqësore.

ç) Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 për dekriminalizimin, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

d) Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

e) Formular deklarimi për papajtueshmëritë dhe konfliktin e interesit

 


Kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur anëtar i AMA-s

 

Neni 9

Zgjedhja e anëtarëve të AMA-s

 

            1. Anëtarët e AMA-s zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

            2. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, brenda 30 ditëve nga krijimi i një vendi vakant, fton, me anë të mjeteve të informimit publik, për paraqitjen e kandidaturave, subjektet e mëposhtme:

            a) shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike;

            b) shoqatat e medias së shkruar;

            c) profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike;

            ç) profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë;

            d) organizatat jofitimprurëse që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve ose kërkimeve në politikat publike, ose përfaqësues të shoqatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuar.

Neni 7

Papajtueshmëritë dhe konflikti i interesave

 

            1. Anëtarë të AMA-s nuk mund të jenë individët që:

            a) janë anëtarë të partive dhe shoqatave politike, kandidojnë për deputet apo janë zgjedhur të tillë gjatë 2 legjislaturave të fundit, kanë konkurruar për kryetar të njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara për to apo kanë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 vjetëve të fundit, si dhe ata që janë anëtarë të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit;

            b) janë persona të lidhur, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” ose që kanë në pronësi pjesë kapitali apo aksione të shoqërive tregtare, si dhe të drejta të tjera në fushën e transmetimeve audiovizive, reklamës, prodhimeve të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive, rrjeteve të komunikimit elektronik apo persona të punësuar gjatë vitit të fundit, anëtarë të organeve drejtuese apo këshilluese të këtyre subjekteve apo të lidhur me ndonjë licencë me këto subjekte.    

            2. Anëtarët e AMA-s duhet të deklarojnë:

            a) çdo interes apo lidhje me ndonjë subjekt të  licencuar nga AMA;

            b) çdo interes të mundshëm në ndonjë licencë, që AMA ka dhënë ose synon të japë, si dhe nuk mund të marrin pjesë në diskutimin apo vendimmarrjen e çështjeve të lidhura me këta interesa apo lidhje, që përbëjnë raste për skualifikim, sipas nenit 37 të Kodit të Procedurave Administrative.

            3. AMA harton dhe miraton një kod sjelljeje, lidhur me rregullimin e veprimtarisë së saj për çështjet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, si dhe miraton kodet e të njëjtit lloj për administratën e AMA-s dhe bordeve që mund të ngrejë.

            4. Anëtarët e AMA-s nuk lejohet të shprehen ose të mbajnë qëndrime publike që cenojnë paanshmërinë e tyre, në raport me interesat e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

            5. Anëtarët e AMA-s duhet të mos influencohen financiarisht apo politikisht dhe duhet të veprojnë gjatë gjithë kohës për të përmbushur dhe thelluar objektivat e AMA-s.

Neni 8

Përbërja e AMA-s

 

1. AMA përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari dhe 5 anëtarë.

2. Kandidat për t’u zgjedhur anëtar i AMA-s mund të jetë çdo person, i cili ka përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushat e:

a) medias në përgjithësi;

b) transmetimeve audiovizive të shërbimit publik, tregtar ose jotregtar;

c) prodhimit të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive;

ç) teknologjive të medias;

d) ekonomisë, administrimit dhe rregullave te konkurrencës;

dh) çështjeve të zhvillimit të gjuhës shqipe;

e) çështjeve që lidhen me personat me aftësi të kufizuar e grupeve të tjera vulnerabël;

ë) artit, kulturës e muzikës;

f) drejtësisë, ligjit, administrimit publik;

g) shkencës, mjedisit dhe zhvillimit teknologjik;

gj) mbrojtjes së konsumatorit;

h) veprimtarive shoqërore, edukuese dhe zhvillimit të bashkësive lokale, publike e kombëtare, të cilat kanë lidhje ose ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi qëllimet e veprimtarisë audiovizive, siç përcaktohet në këtë ligj.

3. Kryetari dhe Zëvendëskryetari i AMA-s janë me kohë të plotë. Paga e Kryetarit, e Zëvendëskryetarit dhe shpërblimi i 5 anëtarëve të tjerë caktohet në përputhje me ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të pavarura të krijuara me ligj”.


Vendimi për rishpallje vakance 4 anëtar në AMA

 


Share