Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar) Roterdam, 30.01.2017”, si dhe rishpalli 6 vendet vakante për anëtarë të AMA-s

  • Postuar më, 27/10/2021

27 tetor 2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nën drejtimin e kryetarit z. Agron Gjekmarkaj  në mbledhjen e sotme diskutoi dhe miratoi nën për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar) Roterdam, 30.01.2017”, si dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës rishpalli 6 vendet vakante për anëtarë të AMA-s. 

Të ftuar në këtë dëgjesë ishin znj. Entela Çipa, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe z. Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Znj. Çipa u shpreh se me ratifikimin e kësaj Konvente është bërë e mundur që bashkëprodhuesit e vendeve të vogla të bëhen pjesë e prodhimeve europiane kinematografike me të drejta dhe benefite më të mëdha. Konventa u mundëson ndryshimet në përqindjen e buxhetit me të cilën një kompani filmike akreditohet dhe njihet si bashkëprodhues në një vepër filmike dy- apo shumëpalëshe prodhuar në Evropë. Kjo do të rrisë menjëherë pjesëmarrjen e producentëve shqiptarë në projekte shumëpalëshe, duke i bërë ata automatikisht përfitues të fondeve ndërkombëtare. Gjithashtu konventa parashikon uljen e përqindjes, e vendeve të Këshillit të Evropës të cilat kishin një përqindje shumë të lartë për tu konsideruar si bashkë prodhues si edhe përfshirjen e titrave në gjuhën shqipe. 

Znj. Flutura Açka, relatore në këtë projektligj velerësoi punën e bërë dhe përmirësimin e këtij ligji, si dhe përfitimet jo vetëm të bashkëproducentëve shqiptarë, por dhe përfitimin e vendit tonë. 

 Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj nen për nen dhe në tërësi. Më tej rendi i ditës vijoi me rishpalljen e 6 vendeve vakante për anëtarë të AMA-s.


Share