NJOFTIM PËR SHPALLJEN E KATËR VENDEVE VAKANTE PËR ANËTARË TË AUTORITETIT PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH- SIGURIMIT TË SHTETIT

  • Postuar më, 26/10/2021


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e datës 26 tetor 2021, në zbatim të nenit 8 dhe 9 të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 34 dhe 111 të Rregullores së Kuvendit,  me vendimin nr. 1/2021 të tij, vendosi 

Shpalljen e katër vendeve vakante për anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit.”

-Dy anëtarë propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë.

-Një anëtar propozohet nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.

-Një anëtar propozohet nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, i mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.

 

A.  Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, subjektet dhe individët sipas përcaktimeve të gërmave a, c dhe ç, të pikës 1, të nenit 8 dhe nenit 9  të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar. Kriteret që duhet të plotësojë kandidati:

 

a) Të ketë shtetësi shqiptare;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të ketë mbaruar arsimin e lartë, me Diplomë “Master shkencor”, ose tituj të ekuivalentuar me të;

ç) gëzon integritet të lartë moral, figurë të pastër etiko-morale dhe është i shquar për përgatitje të lartë profesionale;

d) Të ketë jo më pak se 10 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit;

dh) Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

e) Të mos jetë anëtar në parti politike;

ë) Në periudhën nga 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish- Sigurimit të Shtetit, bashkë-punëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike, të posaçme;

f) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën;

g)Të plotësojë kushtet, kriteret dhe pajiset me certifikate sigurie, sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.

 

B.  Subjektet e mësipërme dhe individët e vetë ofruar duhet t’i paraqesin kandidaturat pranë protokollit të Kuvendit brenda 20 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 16 nëntor 2021.

 

C.  Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:

1.      CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati dhe fotokopje karte identiteti.

2.      Raport mjekësor qe vërteton aftësinë për punë.

3.      Kopje të njehësuar të diplomës që provojnë përmbushjen e gërmës c).

4.      Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 10 vitesh në ushtrimin e profesionit.

5.      Vërtetim i gjendjes gjyqësore.

6.      Çdo dokument që vërteton përmbushjen e kritereve të tjera ligjore të sipërpërmendura.

7.      Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi.

8.      Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

9.      Formular deklarimi papajtueshmërie dhe konflikti interesi, në përputhje me përcaktimet e pikave 2 dhe 3, të nenit 9, të ligjit nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.


Formular vetëdeklarimi në zbatim të ligjit nr. 138 2015
Vendim nr. 1 datë 26.10.2021 komisioni shpallje vakance AIDSSH
Formular Deklarimi
Formular për zyrtarët AIDSSH


Share