Zhvillohet Konferenca e Kryetarëve. Prezantohet dhe miratohet kalendari i shqyrtimit të projekt-buxhetit të vitit 2022

  • Postuar më, 26/10/2021

26 tetor

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, sot më datë 26. 10.2021 u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve Kuvendore.

Në pikën e parë të rendit të ditës ishte prezantimi i projektligjit”Për buxhetin e vitit 2022”, i cili u paraqit nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Delina Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj  parashtroi shtyllat kryesore të projekt-buxhetit të vitit  2022, duke theksuar se objektivi primar i tij është konsolidimi i rimëkëmbjes ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore të njëpasnjëshme, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë deklaroi se në projekt-buxhetin e vitit 2022:

- Rritja ekonomike planifikohet të jetë në nivelin e 4.1%

-Deficiti fiskal parashikohet me 5.4% e PBB;

 -niveli i borxhit publik parashikohet në një vlerë rreth 78.9% të PBB’

-Të ardhurat parashikohen të arrijnë në 536.8 miliardë lekë’

-Shpenzimet Buxhetore janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB  dhe do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019;

-Investimet publike janë parashikuar në masën 6.4% e PBB ose 119 miliardë lekë.

Pas prezantimit të ministres, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e shqyrtimit të projektligjit “ Për buxhetin e vitit 2022”, si dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 25 tetor 2021-12 nëntor 2021.

Konferenca vendosi që seancat plenare për shqyrtimin në parim të projekt-buxhetit të vitit 2022 të zhvillohen në datat 15 dhe 16 nëntor 2021, ndërsa shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi në datën 25 nëntor 2021.


Share