Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 26/10/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr. 86/2016”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Enkelejda Muça dhe z. Erald Elezi drejtor në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Në fjalën e saj zëvendësministrja u shpreh se ndërtimi i akseve të propozuara në këtë marrëveshje do të përmirësonte shumë lëvizshmërinë e mjeteve, si në aspektin kohor dhe atë cilësor.

Po ashtu, marrja nga ana e qeverisë shqiptare e projekteve në shkallë “përfundimtare”, do të krijojë mundësinë për një ulje të ndjeshme të afateve për realizimin e tri veprave infrastrukturore të rëndësishme të sipërpërmendura që, pasi të jenë realizuar, do të japin mundësinë për uljen e kostove operative të transportit rrugor, rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturave rrugore shqiptare, favorizimin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe të fluksit të mallrave e shkëmbimeve me vendet evropiane, nëpërmjet krijimit të infrastrukturave të reja rrugore dhe fuqizimit të atyre ekzistuese.

Pas diskutimeve mbi të cilin u zhvillua kryesisht mbledhja e komisionit, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja u zhvillua me praninë fizike të deputetëve dhe të ftuarve.

 

 


Share