Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Republikës Çeke, z. Jaroslav Ludva: Besim në mbështetjen për mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare brenda vitit

  • Postuar më, 26/10/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Republikës Çeke, z. Jaroslav Ludva, njëkohësisht Dekan i Trupit Diplomatik në Tiranë. Ambasadori Ludva e uroi znj. Nikolla për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe i shprehu gadishmërinë e Republikës Çeke për të zgjeruar e intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë si dhe e siguroi për mbështetjen e vendosur për integrimin evropian të Shqipërisë dhe mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt. Ambasadori Ludva informoi Kryetaren Nikolla edhe për vizitën e afërt në Tiranë të delegacionit të nivelit të lartë të Senatit të Republikës Çeke. Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe intensive politike mes dy vendeve, nivelin e lartë të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit parlamentar, dhe e falenderoi Ambasadorin Ludva për ndihmën e Republikës Çeke për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti si edhe për mbështetjen për shuarjen e zjarreve në verën e këtij viti. “Republika Çeke, si edhe vendet e Grupit të Vishegradit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë  avokatë të rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Ne kemi besim se kjo mbështetje do të vazhdojë, për të mundësuar që Tryeza e Parë Ndërqeveritare të mbahet brenda vitit 2021. Sapo kemi marrë në dorë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe kemi filluar punën për zbatimin e rekomandimeve të Raportit.”, u shpreh  Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

 


Share