Zhvillohet mbledhja e dytë e Komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administrates shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”

  • Postuar më, 22/10/2021

22 tetor 2021

Nën drejtimin e kryetarit të këtij komisioni z. Enkelejd Alibeaj, u zhvillua sot mbledhja e dytë e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administrates shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ishte diskutimi i projekt-rregullores së brendshme të funksionimit të Komisionit Hetimor dhe caktimi i Sekretarit të Komisionit.


Në mbledhjen e parë komisioni caktoi z.Ervin Salianji, nga Grupi parlamentar i PD dhe z. Nasip Naço, nga Grupi parlamentar i PS për të paraqitur variantin final të Rregullores . Amendamentet e paraqitura nga mazhoranca për nene të caktuara të rregullores, nuk u dakordësuan nga opozita.

Për shkak të mosdakordësisë mes palëve, kryetari i komisionit z. Enkelejd Alibeaj vendosi të hedh për shqyrtim  draft-rregulloren e propozuar prej tij, e cila u miratua në parim.


Gjatë shqyrtimit nen për nen, anëtarët e mazhorancës deklaruan se procedura e ndjekur nga Kryetari i komisionit ishte në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin për komisionet hetimore, pasi nuk u pranua të paraqisnin propozimet e tyre për nene të caktuara dhe për këtë shkak u larguan nga mbledhja e komisionit.

Pas mungesës së kuorumit të nevojshëm, Kryetari z.Alibeaj njoftoi mbylljen e mbledhjes dhe ngarkoi Sekretariatin Teknik të njoftojë anëtarët se mbledhja e ardhshme do të zhvillohet më datën 27 tetor 2021.

 


Share