Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore sensibilizuese pranë Shërbimit Onkologjik, në QSUT “Nënë Tereza”

  • Postuar më, 21/10/2021

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore sensibilizuese pranë Shërbimit Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prezent nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në këtë dëgjesë ishin: znj. Eugena Tomini, zëvendësministre, Prof. Albana Fico, Drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Alban Ylli, Shef Departamenti, ISHP, Prof. Dr. Silva Çeliku, Shefe e Shërbimit Onkologjik, Prof. Dr. Helidon Nina, Drejtues Mjekësor në Spitalin Onkologjik, etj.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e komisionit, znj.Albana Vokshi, vlerësoi se numri i rasteve të grave të prekura nga kanceri i gjirit është në rritje, ndaj bëri apel që gratë dhe vajzat ti nënshtrohen testimeve për diagnostifikimin në kohë të kësaj sëmundjeje, sepse diagnostifikimi i hershëm shpëton jetë.

Znj.Tomini bëri një raportim të detajuar për numrin e rasteve të kancerit të gjirit, nevojës për depistimin dhe trajtimin në kohë të kësaj sëmundje. “Janë më shumë se 5,000 gra që jetojnë me këtë sëmundje në vendin tonë”, u shpreh znj.Tomini, duke shtuar se mosha mesatare e rasteve të reja në momentin e diagnozës është rritur me 3.5% në 5 vitet e fundit. Sipas znj.Tomini aktualisht janë ndërtuar dhe funksionojnë një sërë mekanizmash që favorizojnë parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit, duke filluar që nga forcimi i sistemit shëndetësor parësor dhe fuqizimi i rolit të mjekut të familjes në parandalimin e kancerit, deri në investimin për programe kombëtare të depistimit. Zëvendësministrja shtoi se në korrik 2020 është miratuar Paketa e Programit Kombëtar të Depistimit të kancerit të gjirit, i cili është një mekanizëm që mundëson diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e duhur në kohë dhe efikasitet për çdo grua nëpërmjet ekzaminimeve sistematike si një paketë e integruar shërbimesh që ofron palpimin e gjirit dhe mamografisë, ekzaminimet e mëtejshme diagnostikuese dhe trajtimin me terapi sipas protokolleve më të mira klinike.

Për sa i përket numrit të mamografive, znj.Tomini vlerësoi se është rritur ndjeshëm,( nga rreth 5000 mamografi të kryera në 2014 është arritur në pothuaj 20,000 mamografi në vitin 2019), por ka ende nevojë për ndërgjegjësimin e vajzave dhe grave.

“Edhe pse periudhë pandemie shërbimi i mamografisë ka qenë lehtësisht i aksesueshëm për të gjithë qytetarët”, theksoi zëvendësministrja Tomini, e cila përmbylli fjalën e saj me një apel për të gjitha vajzat dhe gratë që ti drejtohen qendrave shëndetësore për të bërë mamografinë. 

Anëtarët e komisionit vlerësuan punën e palodhur të personelit shëndetësor në trajtimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, pavarësisht situatës së pandemisë, si dhe shprehën gadishmërinë e tyre në mbështetje të kauzës së ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.


Share