Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 21/10/2021

21 tetor 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”. Të ftuar për këtë projektligj ishte ministri i Brendshëm z. Bledar Çuçi, z. Muhamet Rrumbullaku, Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve të Shërbimit të Brendshëm dhe Kontrollit dhe znj. Elena Pici, Sekretare e Përgjithshme.

Në prezantim të këtij projektligji, ministri Çuçi u shpreh se kjo Agjenci do të marri, grumbulloj, përpunojë dhe dokumentojë informacion dhe të dhëna për Policinë e Shtetit, Gardës së Republikës dhe Zjarrfikëses, njësoj siç i janë dhënë kompetenca policisë. Po ashtu ministri shtoi se një nga detyrat e reja që do të ketë Agjencia janë edhe Vettingu dhe certifikatat e sigurisë, si edhe do të shmangë konfliktet e interesit për të bërë karrierë.

“Do jetë një Agjenci  Inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të Agjencisë. Transformimin e Agjencisë drejt një modeli më demokratik dhe institucional. Sa i takon risive të projektligjit, në radhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë.  Tashmë sot ajo që quhet SHÇBA dhe pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci, në fushën e përgjegjësisë do të shtohen dhe subjekte të tjera si Garda e Republikës apo Shërbimi Zjarrfikës përveç Policisë së Shtetit që është deri më tani. Edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet.”, - theksoi z. Çuçi.

Pas prezantimit të projektligjit, u vendos me konsensus se diskutimi dhe miratimi i tij do të vazhdojë në një nga mbledhjet e radhës së komisionit.

Pika tjetër e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”. I ftuar për këtë projektligj ishte Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Armand Skrapi, i cili sqaroi se qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020.

“Programi i Bashkëpunimit Shqipëri – Maqedoni e Veriut ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis të dyja vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Ky program mbështet, gjithashtu, shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit.”, - vuri në dukje z. Skrapi.

Pas diskutimeve, pyetjeve e sugjerimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Komisioni vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit  “Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”.  Të ftuar ishin zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Vasilika Vjero. Zëvendësministrja Vjero gjatë prezantimit të projektligjit tha se Konventa, dispozitat e së cilës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dyja vendeve, trajton faktin se si do të shmanget taksimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për taksimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dyja shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë. “Konventa, gjithashtu, ka dispozita, në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dyja vendet.”, shtoi znj. Vjero.

Pas pyetjeve të ndryshme dhe komenteve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. Çështja e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për bashkëprodhimin Kinematografik (e rishikuar) Roterdam, 30.01.2017”.

Të ftuar ishin znj. Entela Çipa Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe z. Eduart Makri drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Znj. Çipa u shpreh se me ratifikimin e kësaj Konvente është bërë e mundur ulja e përqindjes, që edhe bashkëprodhimet si disa vende të Këshillit të Evropës të cilat kishin një përqindje shumë të lartë për tu konsideruar si bashkë prodhues.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja u zhvillua me praninë fizike të deputetëve dhe të ftuarve.

 

 


Share