Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vazhdon takimet dypalëshe në Athinë

  • Postuar më, 21/10/2021

Gjatë qëndrimit të saj në Athinë, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e kryeparlamentarëve të Këshillit të Evropës, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi. 

Midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer. Gjatë takimit u bisedua mbi zgjerimin e këtij bashkëpunimi si edhe rritjen e  kontributin të Kuvendeve në nxitjen dhe mbështetjen e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Znj. Nikolla dhe z. Xhaferi vunë në dukje progresin e të dy vendeve në rrugëtimin evropian dhe plotësimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e Tryezës së Parë Qeveritare me BE-në brenda vitit 2021. Znj. Nikolla vlerësoi edhe rolin dhe kontributin e njohur të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zhvillimin, përparimin dhe evropianizimin e vendit.

Po sot, znj. Nikolla u takua me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, z. Kakha Kuchava dhe gjatë takimit u bisedua mbi bashkëpunimin parlamentar, si edhe kontributin e parlamenteve në kryerjen e reformave integruese.  

Z. Kuchava e falenderoi  Kryetaren Nikolla për mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.  

Duke iu përgjigjur interesimit të kolegut gjeorgjian mbi reformën në drejtësi, Kryetarja Nikolla vuri në dukje se kjo reformë po zbatohet me sukses dhe besimi i publikut dhe qytetarëve te reforma në drejtësi është rritur. 

Znj. Nikolla dhe z. Kuchava biseduan edhe për koordinimin  midis të dy parlamenteve dhe të dy vendeve për mbështetjen e kandidaturave në organizatat ndërkombëtare. 

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, z. Kakha Kuchava, për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë këtyre takimeve ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit,z. Genci Gjonçaj, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.


Share