Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, z. Constantine An. Tassoulas: Të bindur në mbështetjen e Greqisë për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare brenda vitit 2021

  • Postuar më, 20/10/2021

 

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla,  u takua sot me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, z. Constantine An. Tassoulas.

Kryetari Tassoulas, shprehu kënaqësinë që pret në Parlamentin e Greqisë Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe e uroi  znj. Lindita Nikolla për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë. Z. Tassoulas shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar e zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe gadishmërinë e Parlamentit të Greqisë për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin  e gjithanshëm midis të dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, z. Constantine An. Tassoulas, për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe të dy parlamenteve.

“Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme,  partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian.

Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi  të bindur se këtë mbështetje  e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021.

Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për  ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve.”, theksoi znj. Nikolla.  

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, e falenderoi Kryetarin Tassoulas edhe për ndihmën e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për dhurimin e mbi 120 mijë dozave të vaksinave, duke ndihmuar për përballimin dhe daljen nga pandemia e Covid-19.

Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Tassoulas biseduan edhe mbi aspekte konkrete të bashkëpunimit midis të dy parlamenteve dhe grupeve respektive parlamentare të miqësisë. Znj. Lindita Nikolla e ftoi Kryetarin e Parlamentit, z. Constantine An. Tassoulas, për një vizitë zyrtare në Tiranë.



Share