Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli dhe zëvendëskryetari i këtij Komisioni, z. Tomor Alizoti takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, znj. Yuri Kim

  • Postuar më, 20/10/2021

Kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli dhe Zëvendëskryetari i këtij komisioni, z. Tomor Alizoti pritën sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadoren e SHBA në Tiranë, Sh. S. Znj. Yuri Kim.

Znj. Kodheli shprehu ndjenjat dhe qendrimet e përbashkëta të komisionit dhe tërë spektrit politik shqiptar përsa i përket marrëdhënieve krejtësisht të veçanta me SHBA si aleatja kryesore dhe mbështetësja strategjike e Shqipërisë në rrugën e saj drejt zhvillimit, demokracisë dhe integrimit euro-atlantik.

 Z. Alizoti shprehu mirënjohjen për rolin e jashtëzakonshëm të SHBA në zhvillimet demokratike sikurse dhe në sigurinë jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit e më tej, veçanërisht në situatën e sotme gjeopolitike. Duke folur për situatën në vend, ai theksoi se reforma e thellë zgjedhore, si dhe organizimi i proceseve të ndershme elektorale janë tregues për demokracinë në vend.  

Ambasadorja Yuri Kim uroi znj. Kodheli për rizgjedhjen në detyrën e Kryetares së komisionit për Politikën e Jashtme, si dhe në atë të zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Duke përgëzuar gjithashtu z. Alizoti për zgjedhjen si deputet dhe Zëvendëskryetar i Komisionit,  ajo vlerësoi kthimin e opozitës në Parlament dhe theksoi se votuesit e opozitës duhet ta shohin veten të përfaqësuar. Znj.Kim shtoi se Ambasada dhe SHBA, dëshirojnë dhe presin të bashkëpunojnë me të dy palët politike, pozitë – opozitë.  Për të palët mund të mos jenë dakord për shumë gjëra, por marrëdhëniet Shqipëri – SHBA janë të padiskutueshme dhe patjetërsueshme si këtu në Shqipëri, ashtu edhe në vendin e saj.  

Ne i qendrojmë këtij angazhimi dhe mbështetemi tek gjithkush që mban këtë flamur. Opozita së bashku me shumicën duhet të gjejnë një terren të përbashkët bashkëpunimi në favor të interesave kombëtare, por kjo kërkon lidership. E ardhmja e Shqipërisë përkrah SHBA është e sigurtë, por kjo e ardhme duhet të jetë edhe brenda BE. Qendrimi ynë është i qartë - ju keni arritur rezultate të prekshme në shumë drejtime, tha ajo.

Më tej bashkëbiseduesit trajtuan aspekte të veçanta lidhur me projektet dhe drejtimet që duhen ndjekur për progresin e mëtejshëm që nevojitet në  fushat e demokracisë, sigurisë dhe biznesit, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këto fusha.   

 


Share