Mblidhet Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE). Ambasadori Soreca prezanton progresraportin për vitin 2021

  • Postuar më, 20/10/2021

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin e radhës, në të cilin ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri prezantoi “Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë”. Në takimin e sotëm mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe Nënkryetari, z. Taulant Balla. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme diskutuan edhe znj. Olta Xhaçka, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Ata informuan anëtarët dhe të ftuarit e përherëshëm të KKIE-së mbi hapat për ndjekjen e rekomandimeve të këtij Raporti.

Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, në fjalën e saj, falënderoi Delegacionin e BE për mbështetjen e aspiratës shqiptare për integrim dhe të politikës zgjeruese të BE-së. Sipas znj. Tabaku, vizita përmbyllëse e kancelares Merkel, Samiti i Brdo dhe vizita e presidentes së Komisonit Europian, Znj. Ursula von der Leyen, shenjojnë rrugën që duhet ndjekur nga Shqipëria. Znj. Tabaku, çmoi se përmes KKIE-së, me raportin si pikënisje, nis zbatimi i funksioneve parlamentare të mbikqyrjes dhe këshillimit në procesin integrues. Znj. Tabaku e falënderoi BE-në për ndihmën financiare dhe politike për Shqipërinë dhe shtoi se kjo mbështetje duhet t’i shërbejë afrisë dhe jo distancimit me vlerat evropiane. Në fjalën e saj znj. Tabaku u ndal edhe në disa gjetje që i vlerësoi si problematike në raport: angazhimin e qeverisë ndaj integrimit si prioritet; përdorimin e burimeve publike dhe krimet zgjedhore; transparencën në aktivitetet e qeverisë; treguesit e ulët sipas saj në drejtim të reformimit të drejtësisë; problemet me nivelin e korrupsionit etj. Megjithatë ajo shtoi se duhej punuar intensivisht për t’i respektuar dhe zbatuar vlerat dhe rekomandimet e BE-së.

Nënkryetari i KKIE-së, z. Taulant Balla, në nisje të fjalës së tij përshëndetëse, u shpreh se priste që brenda Krishtlindjeve të mbahej Konferenca e Parë Ndërqeveritare, si formë e mbajtjes së fjalës nga BE. Z. Balla shtoi se Shqipërisë i është dashur të bëjë përpara me procesin e integrimit edhe përmes një konteksti të ri e të vështirë, që lidhet me sfindat e pandemisë. Gjithashtu, z. Balla, duke iu referuar gjetjeve të raportit shtoi se mazhoranca do të vijojë me mbështetjen e sugjerimit të ekspertëve për të zgjatur afatet e organeve të vetingut. Z. Balla vuri theksin edhe te trajtimi që raporti u bën zgjedhjeve të 25 prillit, duke theksuar standardet e tyre të lirisë dhe demokracisë. Nënkryetari i KKIE-së, në fjalën e tij ngriti edhe një shqetësim: “Shqetësimi për vendet tona është humbja e momentumit të politikës së suksesshme të zgjerimit, e cila mund të ngadalësojë efektin transformues, pasi Komisioni mund të mos jetë më busull orientimi. Ndaj, rikthimi në shinat e vlerësimit teknik të Komisionit, mbetet rrugëzgjidhja më e mirë për rivitalizimin e procesit të zgjerimit”. Z. Balla, shtoi po ashtu se shtysa e domosdoshme në këtë moment për Shqipërinë do të ishte miratimi i kornizës negociuese dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda Krishtlindjeve.   

Ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca, diskutoi dhe prezantoi lidhur me gjetjet kryesore të raportit, si pjesë e paketës më të gjerë të zgjerimit, çështjet që lidhen me kriterin politik, duke shprehur gatishmërinë e tij për të marrë sërish pjesë në mbledhjen e KKIE-së për trajtimin e çështjeve të lidhura me kapitujt e tjerë.  Në fjalën e tij, z. Soreca konfirmoi se Ballkani Perëndimor ka përparësi të lartë për BE-në dhe vizita e znj. Von der Leyen dhe Samiti i Brdo-s e tregon këtë. Ai përsëriti mbështetjen e shprehur nga ana e Komisionit Evropian që Shqipëria të zhvilloj Konferencën e Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti. Lidhur me raportin, z. Soreca u shpreh se Shqipëria ka vijuar të ketë përparim në reformat e Bashkimit Evropian dhe rezultate të prekshme. Ai u shpreh se sipas raportit, Shqipëria përmbush kriteret për anëtarësim, e po ashtu, thekson se Komisioni Europian i qëndron mendimit për të mbledhur Konferencën e Parë sa më shpejt të jetë e mundur. Z. Soreca u shpreh se vijon po ashtu puna intensive me vendet anëtare për të tejkaluar çështjet dypalëshe. Ai shtoi se vonesat do të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së dhe se mbetej me rëndësi që Shqipëria të konsolidonte punën e saj me vijimin e reformave në këto drejtime: Shetin e së drejtës, lirin e medias, ligjet që priten të miratohen për të drejtat e pakicave. Z. Soreca u ndal edhe te raportimi pozitiv dhe rekomandimet përkatëse në çështjet që lidhen me zgjedhjet, mirëqeverisjen, qeverisjen vendore, shoqërinë civile, sundimin e ligjit- ku drejtësia ishte kryefjalë. Ai theksoi optimizmin e tij dhe mbështetjen në emër të Komisionit.

Ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme, znj. Olta Xhaçka, në krye të fjalës së saj, pas falënderimeve të rastit, veçoi se ky raport, pavarësisht punëve që lë për t’u përmbushur, është më pozitivi i shkruar ndonjëherë për vendin. “Ky raport konfirmon qartë progresin e arritur gjatë vitit të fundit në plotësimin e të gjithë kushteve për fillimin e negociatave të anëtarësimit. KE është i qartë dhe bazuar në arritjet tona konkrete e rikonfirmon se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e Këshillit të marsit 2020 për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, u shpreh ministrja Xhaçka. Ajo listoi fushat e arritjeve të prekura dhe të konfirmuara në raport: drejtësia, lufta ndaj krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe reforma zgjedhore. Znj. Xhaçka u shpreh po ashtu e vendosur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhej t’i kishin nisur negociatat dhe se Shqipëria do të duhej ta kishte një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Ajo theksoi se pozicioni pararojë i vendit në kontekstin rajonal është inkurajues. Ministrja u ndal edhe më gjerë në fusha të tjera të vlerësuara nga raporti, ndërsa në mbyllje të fjalës së saj ritheksoi se për rajonin në tërësi, e po ashtu edhe për Shqipërinë në veçanti, mbajtja e fjalës së BE-së për mosvonimin e hapjes së negociatave ka një rëndësi të madhe.   

Kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, z. Zef Mazi, në fjalën e tij tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së dhe u tregua optimist për Konferencën e Parë Ndërqeveritare brenda këtij fundviti. Z. Mazi u shpreh se Shqipëria, sipas raportit të vlerësimit, ka përparuar në proces, edhe pse mbetet shumë për t’u bërë. “Komisioni ka thënë që Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe kërkesat. Puna deri tanishme dëshmon që pala jonë do të hyjë në proces me përvojë më të madhe. Aktorët e tretë në proces, siç është shoqëria civile, pushteti lokal, të bashkëpunojnë më ngushtë. Zbatimi në vijim i planeve të veprimit dhe bashkëpunimi me vendet e BE duhet mbajtur parasysh”, tha në fjalën e tij Kryenegociatori Mazi. Puna në të ardhmen do të jetë më e komplikuar, e se negociatat do të jenë më strikte. Ai u shpreh se integrimi është proces që e ka mbështetjen e plotë, është çështje kombëtare dhe kërkon përkrahjen e të gjithëve.

Në diskutim u përfshinë edhe anëtarë të tjerë të KKIE: Znj. Etilda Gjonaj, Z. Oerd Bylykbashki, Znj. Klotilda Bushka, Z.Agron Gjekmarkaj, Z.Gazment Bardhi, Znj. Albana Vokshi, Znj. Ilda Zhulali dhe Znj.Erinda Ballanca.. Aktiviteti u transmetua live në faqen web dhe “Facebook” të Kuvendit.


Share